×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Intervistë | Sibel Halimi: Qeveria Kurti pa investime, por vetëm me sulme, linçime e paralajmërime ogruzeza për luftë

    Insajderi
    02 October 2022 - 14:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zëdhënësja politike dhe anëtarja e kryesisë së LDK’së, Sibel Halimi e ka vlerësuar si ‘anarki totale’ Qeverisjen Kurti II në çdo drejtim. Në një intervistë për Gazetën Insajderi, Halimi ka komentuar zhvillimet akutale në vend, vendimet e pushtetit, si dhe rolin e Lidhjes Demokratike të Kosovës si opozitë.

    Halimi e ka cilësuar të dobët menaxhimin e Qeverisë së Kosovës në krye me Albin Kurtin. Sipas saj, pushteti ka krijuar një diskurs autokratik ndaj kujtdo që nuk i përshtatet diktatit absolut të tyre.

    Qeverisjen prej 1 viti e gjysmë të Kurtit, Halimi e vlerësoi shumë larg nga ajo që është premtuar. Ndërsa, potencoi mungesën e njohjeve të pavarsisë së Kosovës nga vendet e botës.

    Prej ditëve të para, kjo qeverisje është karakterizuar me arrogancë të numrave, me sulme e linçime ndaj mediave, me amatorizëm të skajshëm në diplomaci. Nuk patëm asnjë njohje si shtet. Ishim dëshmitarë edhe të punësimeve nepotiste, në borde dhe në shumë pozicione tjera shtetërore. Nuk ka vende pune, mungojnë projektet e mëdha dhe investimet e huaja; ka vetëm paralajmërime ogruzeza nga kryeministri për luftë“, deklaroi Halimi.

    Për krizën energjetike në vend, Halimi fajsoi Qeverinë që nuk investoi dhe as nuk nënshkroi kontratë për kontraktim afatgjatë të energjisë.

    Ajo komentoi edhe deklaratat e Ministres Rizvanolli për metodat e kursimit të rrymës.

    Konstatimet e tipit të tillë, kërkojnë planifikim në kohë, duan fonde të dedikuara dhe jo improvizime, siç po shohim fatkeqësisht nga kjo qeveri“, u shpreh Halimi.

    Ndërsa, për shtesat të ndara për disa nga sektorët, anëtarja e LDK’së tha se ‘këtu fillon dhe mbaron ekonomia sipas Qeverisë Kurti‘.

    Intervista e plotë e Sibel Halimit për Gazetën Insjaderi:

    Insajderi: Si keni filluar të merreni me politikë, çfarë ju shtyu në këtë drejtim?

    Sibel Halimi: Angazhimi im në politikë është inicuar fillimisht nga një ftesë e Kryetarit Abdixhiku, të cilën e kam mirëpritur, edhe për shkak të vizionit të tij për zhvillimin e vendit, reformimin dhe hapjen e LDK-së ndaj figurave të reja. Por, poashtu një arsye qenësore ka qenë edhe afërsia e natyrshme mes meje dhe konceptit e vlerave që përfaqëson Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila është ndërtuar mbi bazën e botëkuptimeve të krijuara nga intelektualët dhe vizionit të tyre për shtetndërtim. Kësisoj, si shkrimtare dhe sociologe, më erdhi disi natyrshëm që angazhimin tim prej dy dekadave për avancimin e gjithmbarshëm shoqëror – me theks të veçantë për barazi gjinore, ta vazhdoj si pjesë e LDK-së.

    Insajderi: Si i vlerësoni zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në Kosovë?

    Sibel Halimi: Qeveria është treguar e paaftë, shifrat dhe performanca e dobët në menaxhimin e krizave e vërtetojnë këtë. Vetëm 9% e investimeve kapitale, të planit të vet qeverisë janë zbatuar. Në ekonomi kemi tepër pak investime kapitale, si pasojë e paaftësisë qeverisëse dhe mungesës së vizionit. Pra, kemi një ekonomi të tërë të bllokuar dhe të penguar në rritjen e saj.

    Në aspektin politik, kemi një qeveri e cila ka krijuar një polarizim shoqëror krejtësisht të panevojshëm dhe të dëmshëm. Diskurs e narrativë autokratike ndaj kujtdo që nuk i përshtatet diktatit absolut të tyre.

    Në shëndetësi gjendja është poashtu e rëndë, duke filluar nga ikja e mjekëve, infermierëve dhe stafit shëndetësor, deri te mungesa të mëdha të barnave esenciale. Derisa, vetëm 5% e investimeve kapitale në shëndetësi janë realizuar, dhe vetëm 2 nga 15 projektet e parapara kanë filluar.  

    Jemi duke hyrë në krizën e dytë energjetike – në fakt në muajin gusht kishim reduktime – ngase sërish pushteti nuk ndërmori asnjë nga masat që ne në LDK ua kemi sugjeruar.

    Së fundmi patëm krizën pesëjavore në arsim, e cila fatmirësisht përfundoi pas mirëkuptimit të sindikatave. Në këtë periudhë pamë tendencë për nënshtrim të krerëve të sindikatave dhe gjuhë të rrezikshme linçuese ndaj tyre. Me një fjalë, anarki totale në çdo drejtim.

    Insajderi: Na tregoni se cili është roli i LDK-së, si parti opozitare?

    Sibel Halimi: LDK është duke e zhvilluar një opozitarizëm konstruktiv dhe tanimë këtë rrugë e kemi të qartë, pavarësisht zërave kundërshtues. LDK e sheh me shqetësim qasjen e partisë në pushtet. Pikërisht, duke vlerësuar që kjo parti po e shpie vendin në regres e duke i lënë qytetarët të vetëm me problemet e vështirësitë që po ballafaqohen. LDK gjatë gjithë kohës është duke ofruar propozime konkrete se si të menaxhohen krizat duke filluar nga ajo e energjisë, shtrenjtimi i produkteve bazë, deri te së fundmi edhe kriza e shkaktuar në arsim.

    Por, qeveria në vend se të merret me problemet e qytetarëve, ndërton narracione negative e propagandistike kundër kësaj qasjeje. Vetëm nëse analizohet se si pushteti monitoron kritikën e opozitës, shihni dokumentaret e publikuar në faqet e tyre. Në çfarë ujëra të autokratizimit janë duke notuar. Andaj, LDK nuk është aktive në kritikë sa për të kritikuar, por edhe duke ofruar alternativë. Natyrshëm, qytetarët kanë filluar të zhgënjehen, sepse qeveria nuk po arrin t’i përgjigjet konkretisht nevojave të tyre.

    Derisa, LDK është duke shënuar rritje, sepse qytetarët e kanë kuptuar që LDK është partia e vetme, e cila ofron stabilitet dhe profesionalizëm në qeverisje.

    Insajderi: Si e komentoni punën prej 1 viti e gjysmë të  Qeverisë Kurti? Sipas jush, a është duke bërë atë që ka premtuar?

    Sibel Halimi: Kjo qeverisje është me vite drite larg nga ajo çfarë ka premtuar dhe për çfarë është votuar.

    Qeveria ka pasur kohë të mjaftueshme për të treguar ndryshimin ose të paktën për të filluar ndryshimin. Por, fatkeqësisht asnjë ndryshim nuk është në horizont. Prej ditëve të para, kjo qeverisje është karakterizuar me arrogancë të numrave, me sulme e linçime ndaj mediave, me amatorizëm të skajshëm në diplomaci. Në më shumë se një vit e gjysmë mandat, nuk patëm asnjë njohje si shtet. Ishim dëshmitarë edhe të punësimeve nepotiste, në borde dhe në shumë pozicione tjera shtetërore. Në ekonomi kemi pasur një bllokadë totale, fillimisht si pasojë e mungesës së bordit në OSHP; mirëpo prapë, edhe kur ky problem është zgjidhur, nuk ka pasur investime publike. Nuk ka vende pune, mungojnë projektet e mëdha dhe investimet e huaja; ka vetëm paralajmërime ogruzeza nga kryeministri për luftë, andaj rinia jonë thjesht nuk sheh perspektivë për të qëndruar në Kosovë. Pra, thjesht dështime dhe arsyetime në çdo sektor.

    Insajderi: Kosova është duke u përballur me krizë energjetike dhe po paralajmërohet dimër i vështirë. A mendoni se Qeveria Kurti do ta menaxhojë si duhet krizën energjetike në vend?

    Sibel Halimi: Do të doja të isha optimiste, por kam frikë që jo. Me aq sa kemi parë nga kjo qeveri, për fatin e keq të qytetarëve dhe bizneseve tona, duket se po hyjmë në një nga dimrat më të vështirë ndonjëherë. Nga Plani 10 pikësh i propozuar nga LDK për përballimin e krizës së energjisë elektrike, nuk është ndërmarrë asnjë prej pikave nga kjo qeveri. Në këto dy vite, nuk kemi parë asnjë hap në asnjë drejtim, për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese. Asnjë lloj kontrate për kontraktim afatgjatë të energjisë që do të jetë jetike në muajt e ftohtë të dimrit. S’pamë kurrëfarë vizioni as për investime në energjinë e gjelbër – atë solare, me erë, apo hidrike. Madje as mirëmbajtje bazike periodike – të rregullt, të blloqeve ekzistuese nuk kishte. Vetëm ankesa dhe asnjë lloj zgjidhje të qëndrueshme.

    Insajderi: Si i komentoni deklaratat e Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli për metodat për të kursyer energjinë?

    Sibel Halimi: Ministrja e Ekonomisë vetëm tani në vjeshtë u kujtua për të mbajtur leksione për masa të efiçiencës, kur mund të krijonte me kohë një fond shtetëror për subvencionimin e qytetarëve tanë për termoizolime të shtëpive të tyre. Konstatimet e tipit të tillë, kërkojnë planifikim në kohë, duan fonde të dedikuara dhe jo improvizime, siç po shohim fatkeqësisht nga kjo qeveri. Asnjë zgjidhje afatgjate nuk bëhet ad-hoc, siç kjo qeveri pretendon të bëjë.

    Insajderi: Vendi ynë është përballur edhe me rritjen e çmimeve të produkteve bazike. Sipas jush si është menaxhuar kjo situatë nga qeveria?

    Sibel Halimi: Kriza e çmimeve është një nga dështimet më të mëdha të kësaj qeverie, nëse e marrim për bazë rëndesën e përditshmërisë që ia ka shkaktuar qytetarëve. Kryeministri dhe ekonomistët rreth tij qëndruan si spektatorë, duarkryq, duke mos marrë asnjë lloj mase për të ulur inflacionin, i cili ishte më i larti në rajon. Madje, ky kabinet edhe krekosej pacipësisht se si e kishte rritur buxhetin, duke mbledhur më shumë të hyra në doganë në kurriz të qytetarëve. Propozimet tona të arsyeshme dhe të logjikshme për reduktimin e TVSh-së dhe akcizës në produkte bazike dhe në derivate, u injoruan tërësisht, vetëm për inate politike.

    Insajderi: Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor. A pret ndonjë lajm pozitiv për Kosovën? Nëse po, kujt i takon merita?

    Sibel Halimi: Shpresoj të kemi lajme të mira në këtë drejtim dhe të marrë fund kjo padrejtësi ndaj qytetarëve tanë, të cilët padyshim se janë më meritorët për këtë zhvillim pozitiv, kurdo që ndodh. Ata me dekada kanë punuar dhe sakrifikuar për ndërtimin dhe zhvillimin e shtetit tonë, Republikës së Kosovës.

    Insajderi: Si i komentoni vendimet e Qeverisë Kurti për ndarjen e shtesave për disa sektorë?

    Sibel Halimi: Veprim popullist i pastër i një qeverie që e ka prioritet thjesht të ruajë paqen sociale dhe nuk ka njohuri të nxisë zhvillim. Një kabinet i tërë që ekonominë e shohin me optikën e ngushtë të kontabilistit. Thjesht mbledhë buxhet, shpërndanë më pas atë në skema sociale dhe aq.

    Këtu fillon dhe mbaron ekonomia sipas tyre. Kur udhëhiqemi nga këso pushtetarësh, vështirë të pritet diçka më kreative, ndonjë zgjidhje më afatgjate në raport me inflacionin enorm që po e përjetojmë tash e shtatë muaj. Është shkurtpamësi dhe improvizim, sikur çdo gjë tjetër e qeverisjes së tyre./Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark