Biznesmeni dhe investitori amerikan i kriptovalutave, Michael Terpin, i fitoi 75.8 milionë dollarë në një gjykim civil kundër një djali 21-vjeçar, të cilin ai e kishte akuzuar për pjesëmarrje në një skemë mashtrimi me kriptovaluta.
Gjykata Supreme e Kalifornisë e urdhëroi banorin e Manhattanit, Nicholas Truglia, t’ia paguajë këtë shumë Terpinit si dëmshpërblim për mashtrimin e bërë. Kjo është një nga shifrat më të mëdha që një gjykatë ia ka ofruar një individi sa i përket krimeve të kësaj natyre.
Sipas firmës që merret me kriptovaluta, të quajtur “CipherTrace”, humbjet e investitorëve të kësaj valute nga vjedhjet dhe mashtrimet kanë shkuar në 1.2 miliardë dollarë vetëm gjatë çerekut të parë të këtij viti. Kjo shifër paraqet 70 për qind të humbjeve për arsyet e njëjta gjatë tërë vitit 2018.
Terpin kishte deklaruar se e ka bërë një padi civile në janar të këtij viti pasi tre milionë njësi i ishin vjedhur nga llogaria e tij në telefon në pjesën e parë të vitit 2018.
Në kohën e vjedhjes, vlera e këtyre njësive ishte 23.8 milionë dollarë. Kjo vjedhje ishte bërë kur Truglia dhe disa persona tjerë në mënyrë mashtruese e kishin marrë kontrollin ndaj telefonit të tij. Kjo ua kishte mundësuar atyre ndërrimin e fjalëkalimit dhe qasjen në llogari.
Truglia ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar për gjashtë krime dhe drejtësia amerikane është duke i vazhduar hetimet kundër tij. Në anën tjetër, Terpin tha se është duke u përgatitur për të marrë masa juridike ndaj anëtarëve tjerë të këtij grupi, Gazeta Express.