Klubi më i madh në vend, Prishtina ka mbajtur së fundmi Kuvendin Zgjedhor, ku president i ri i klubit është zgjedhur afaristi i njohur, Hakif Gashi.
Pas 18 vjetësh në krye të klubit kryeqytetas, Remzi Ejupi dha dorëheqje duke ia lënë këtë vend Gashit, i cili e ka marrë Prishtinën në duar në një fazë tranzicioni.
Nga klubi i Prishtinës shumë futbollistë janë larguar, e shumë të rinjë kanë ardhur në krye me trajnerin e mirënjohur, Ismet Munishi, i cili ka synime të mëdha me skuadrën bardhekaltër këtë vit.
Përpos këtyre ndryshimeve, te Prishtina është emëruar tani edhe drejtori i ri sportiv.
FrontOnline mëson nga burime brenda klubit se Driton Krasniqit i është besuar kjo pozitë e rëndësishme te Prishtina.
Krasniqi e njeh mjaft mirë Prishtinën pasi aty ka luajtur nga viti 2012 deri në vitin 2016 atëherë edhe kur u pensionua nga futbolli aktiv.
Madje, ai ishte pjesë e një takimi së fundmi mes drejtuesve të Prishtinës dhe Dritës, ku pamje nga ky takim shpërndau trajneri Ismet Munishi.
Përpos Prishtinës, Krasniqi në karrierën e tij si futbollist ka luajtur edhe te KEK-u, si dhe në Shqipëri te Tomori, Shkumbini dhe Besa e Kavajës.