Ish-gardiani Dragisha Milenkoviq dënohet me shtatë vjet burgim për krime lufte në Kosovë - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Ish-gardiani Dragisha Milenkoviq dënohet me shtatë vjet burgim për krime lufte në Kosovë

    Insajderi
    16 April 2025 - 14:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dragisha Milenkoviq, duke e dënuar me 7 vjet burgim për krime lufte në Kosovë. Kurse, për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë.

    Në këtë rast, Dragisha Milenkoviq akuzohet se në cilësi të gardianit në burgun e Prishtinës dhe Lipjanit, ka torturuar në mënyrë çnjerëzore të burgosurit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Aktgjykimi ndaj Milenkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.

    Gjykatësi Krasniqi tha se ndaj Milenkoviqit lidhur me akuzën për krime lufte, Gjykata shpall dënim në kohëzgjatje prej 7 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, ndërsa arma në fjalë urdhërohet të konfiskohet.

    I akuzuari u obligua edhe për shpenzimet e procedurës në shumën prej 300 euro dhe 100 euro për fondin e viktimave të krimit.

    Të njëjtit iu vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

    Aktakuza e ngritur më 26 dhjetor 2023 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ngarkon Dragisha Milenkoviqin se në cilësinë e gardianit të Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në bashkëkryerje në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë.

    Më 10 janar 2024, në seancën fillestare Milenkoviq ishte deklaruar i pafajshëm për krime lufte, ndërsa kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark