Komuna e Malishevës, e cila udhëhiqet nga Nisma Socialdemokrate, ka përzgjedhur Blerta Krasniqi Thaçin për një kontratë në vlerë prej 17 mijë e 520 eurosh.
Bëhet fjalë për angazhimin si “Konsulent individual për bashkëpunim me donatorë”, në kuadër të Lotit I dhe Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër.
Gazeta Insajderi mëson se Krasniqi Thaçi ka qenë kandidate për deputete nga Nisma Socialdemokrate, me numrin 72, në zgjedhjet e fundit.

Në këtë procedurë të prokurimit kanë marrë pjesë edhe ofertues të tjerë.
Përzgjedhja e Blerta Krasniqi Thaçit, e cila kishte ofertuar me 17 mijë e 520 euro, ngre pyetje edhe për faktin se ajo kishte qenë kandidate për deputete nga Nisma Socialdemokrate.
Komuna mohon se kandidatura politike ndikoi në përzgjedhje
Gazeta Insajderi ka kërkuar sqarime nga Komuna e Malishevës lidhur me përzgjedhjen e Blerta Krasniqi Thaçit për këtë kontratë.
Në përgjigjen e saj, Komuna e ka mohuar një ndikim të mundshëm në përzhgjedhjen e saj.
Komuna tha se procedura e prokurimit ka qenë e hapur dhe se çdo ofertues ka pasur mundësi të marrë pjesë.
“Procedura e prokurimit ka qenë procedurë e hapur, gjithkush ka mundur të ofertojë dhe nuk ka të bëjë asgjë me atë pse ka qenë kandidate për deputete”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Nga Komuna kanë deklaruar se përzgjedhja është bërë bazuar në ofertën e saj dhe në përmbushjen e kërkesave të përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftimin për kontratë.
Ndërsa, lidhur me ofertat më të lira, Komuna ka thënë se ato nuk i kanë përmbushur kushtet e kërkuara në dokumentacionin e tenderit.
Dosja e tenderit tregon edhe detyrat që duhet t’i kryejë ajo
Në njoftimin për kontratë thuhet se angazhimi i saj do të jetë për 24 muaj.
Në dosjen e tenderit janë përcaktuar edhe detyrat që duhet t’i kryejë konsulentja gjatë angazhimit në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër.
Konsulentja do të jetë përgjegjëse për ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes në hartimin e dokumenteve të Drejtorisë, si dhe për përgatitjen dhe koordinimin e aplikimeve për projekte në bashkëpunim me drejtoritë komunale.
Ndër detyrat e përcaktuara është edhe ofrimi i këshillimit profesional për stafin e Drejtorisë.
Ajo, në bashkëpunim me mbikëqyrësin, duhet të hartojë planin e punës dhe të nxjerrë konkluzione lidhur me procedurat administrative.
Po ashtu, në bashkëpunim me mbikëqyrësin, duhet të përgatisë dokumentacionin e nevojshëm për mbledhjet e Kuvendit të Komunës dhe për kërkesat e kryetarit të Komunës.
Në dosje parashihet që konsulentja të kryejë edhe detyra të tjera që lidhen me kërkesat e palëve dhe detyrat zyrtare pranë Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër./insajderi.org/