Insajderi
Lajme

Ish-presidenti i shkarkuar nga Kushtetuesja akuzon për standarde të dyfishta

Insajderi
04 April 2016 - 23:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Për Behxhet Pacollin, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, për zgjedhjen e Hashim Thaçit president është i turpshëm.

Sipas Pacollit – zgjedhja e të cilit president ishte gjetur si anti-kushtetues nga Gjykata Kushtetuese – vendimi që kjo gjykatë ka dhënë në rastin e Hashim Thaçit përbën turpin e radhës të organit më të lartë juridik të vendit.

“Gjykata Kushtetuese sot kundërshtoi veten dhe ky është një turp”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Në një postim në profilin e tij, Pacolli që në mars të vitit 2011 ishte rrëzuar unanimisht nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ka thënë se ekziston një pikë në të cilën Gjykata ka përdorur standarde të dyfishte.

Bëhet fjalë për kuorumin, apo numrin e deputetëve që duhet të ishin të pranishëm në sallë në secilin raund kur votohet presidenti.

“Kjo Gjykatë u detyrua të merrte dy vendime që e kundërshtojnë veten për çështjen e Kuorumit. I njëjti njeri mund ta qortojë veten se bëri një turp 5 vjet më parë, por e njëjta Gjykatë jo. Sot Gjykata Kushtetuese i tha turp të kesh Gjykatës Kushtetuese të 5 vjetëve më parë. Krahasoni paragrafin 64 të aktvendimit të sotëm me paragrafin 85 të aktvendimit të 5 vjetëve më parë”, ka shkruar Pacolli.

“Gjykata sot thotë (paragrafi 64) se në raundin e parë dhe të dytë mjafton të jenë të pranishëm dy të tretat e Kuvendit që të zgjidhet Presidenti, ndërsa dje (paragrafi 85) thoshte se duhet të votojnë 120 deputetë, minus ata që mungojnë”, ka shtuar Pacolli.

Sipas Pacollit, dy anëtarët perëndimorë të kësaj Gjykate në 2011-n, ishin në pakicë asokohe dhe u distancuan nga të tjerët, duke thënë se kuorumi i nevojshëm është më shumë se gjysma e anëtarëve të Kuvendit. E tash ata, vazhdon Pacolli, janë bashkuar njëzëri me gjithë të tjerët, po thonë diçka tjetër: duhet të jenë dy të tretat.

“Kush e thotë të vërtetën dhe të drejtën? Po jua le juve ta kuptoni. Për mua, të dy këto vendime që kundërshtojnë njëri-tjetrin konfirmojnë veçse një send: Presidenti duhet të zgjidhet nga populli. Kështu as Kuvendi nuk turpërohet, as Gjykata Kushtetuese, nuk turpërohet, dhe as shteti ynë i ri nuk kalon trauma si këto që kaluam. Tani për tani kjo Gjykatë ka treguar se në Kosovë nuk ka drejtësi”, ka shkruar Pacolli duke përfunduar se një “ditë do të shkruhen libra për këtë fenomen të turpshëm…”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark