×
Show

Izrael, konkurs bukurie me të mbijetuarat e Holokaustit

Insajderi
31 October 2016 - 18:47
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Të gjitha ato i kanë shpëtuar gjallë kampeve të përqëndrimit dhe marshimeve të vdekjes së Gjermanisë naziste. Të moshuarat u shfaqën me fustane elegante, bizhuteri rrëzëllitëse dhe me “make up” të lehtë, por fokusi kryesor ishte t’u dhurohej pak hijeshi e vëmendje, grave që kanë përjetuar tmerrin në rininë e tyre, tani që janë në të 80-at apo 90-at e tyre.

“Sonte po u rikthejmë të mbijetuarave të Holokaustit diçka që u është vjedhur kur ishin të reja. Ne duam t’i kënaqim ato”.

Dritat e forta e muzika e lartë nuk i stepën aspak pjesëmarrëset në garë, të cilat prisnin me padurim të pushtonin skenën me buzëqeshjet e tyre, në ndonjë rast të ndihmuara nga familjarë apo konkurrente të tjera, shkruan Top-channel.

Pjesëmarrësja më e re ishte 73-vjeçarja Malka Gorka, e lindur në Gjermani, e cila humbi të gjithë familjen gjatë Holokaustit, ndërsa më e moshuara, hungarezja 89-vjeçare Carmela Ben Yehuda, e cila mbërriti në Izrael pasi i mbijetoi kampit të vdekjes së Aushvicit.

Fituese u shpall 75-vjeçarja Anna Grinis, e lindur në Rusi. Ajo ishte vetëm 2 vjeç, kur nisi lufta dhe së bashku me nënën u shpëtoi nazistëve.

“Nëna më ka treguar gjatë të gjithë jetës për atë periudhë kur u arratisëm nga Moska, e kur nuk kishim ç’të hanim. Mezi mbijetuam”.

Plot 6 milionë hebrenj u vranë nga nazistët para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Rreth 200 mijë të mbijetuar jetojnë tani në Izrael, shumica e të cilëve të përkrahur nga organizata. /Insajderi.com

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark