×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Izraeli ka kryer sulme vdekjeprurëse ajrore në Bregun Perëndimor

    Insajderi
    17 January 2024 - 13:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ushtria izraelite ka bërë të ditur se ka vrarë një militant të lartë palestinez përmes një sulmi ajror në Bregun e pushtuar Perëndimor.

    Ahmed Abdullah Abu Shalal, që sipas ushtrisë izraelite ka qenë përgjegjës për infrastrukturën i cili kishte planifikuar disa nga sulmet kundër izraelitëve në Jerusalem, kishte qenë në mesin e katër të vrarëve gjatë sulmit të kryer në kampin e refugjatëve Balata, të qytetit Nablus.

    Gjysmëhëna e Kuqe palestineze tha se forcat izraelite kanë parandaluar mjekët që të shkojnë në vendin e ngjarjes. Kjo organizatë tha përmes rrjeteve sociale se “të shtënat me armë zjarri iu drejtuan ekipeve tona”.

    Ushtria izraelite ka pretenduar se Abu Shalal planifikonte të kryenin një sulm ku kishin marrë fonde dhe udhëzime nga “ burimet iraniane”. Ushtria nuk ofroi dëshmi për këto pretendime.

    Dhuna ka shpërthyer në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, që kur ka nisur lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Mbi 350 palestinezë janë vrarë në tre muajt e fundit, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, shumica gjatë bastisjeve izraelite dhe protestave të dhunshme.

    Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore në Bregun Perëndimor, por vrasjet e shënjestruara janë kryesisht të rralla në këtë territor.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark