Sot mbylli sytë përgjithmonë në moshën 88-vjeçare Mirosllav Çiro Bllazheviq, trajneri i famshëm kroat.
Kujtojmë kohën kur u emëruar kryetrajner i klubit të futbollit Prishtina.
Java e fundit e marsit të vitit 1985, trajneri më karizmatik zbarkon në kryeqytetin e Kosovës, Mirosllav Çiro Bllazheviq!
Çiro pritet si hero dhe me 24 mars takon në Surdulicë futbollistët e Prishtinës.
Takimi i parë me djelmoshat e Prishtinës.
Atmosferë pune, mikpritje për Çiron në nivelin më të lartë, ndërsa trajneri i famshëm kroat i jep motiv djelmoshave, duke u zotuar se Prishtina nuk do të bie nga elita e futbollit ish jugosllav dhe kështu edhe ndodhi.
Fadil Vokrri, kapiteni i Prishtinës, me 25 mars të vitit 1985, pati deklaruar për sportin e “Rilindjes”: “Ardhja e tij në Prishtinë do të thotë shumë, si për cilësinë profesionale, ashtu edhe për popullaritetin që gëzon në Jugosllavi dhe jashtë vendit.
Më erdhi shumë mirë që tha se në Prishtinë ka ardh për shkak të simpatizuesve të flaktë që ka Prishtina.
Mendoj se, së bashku dhe me forcat tona ekzistuese do t’ia dalim të ruajmë statusin e anëtarit të Ligës së Parë, që është dëshirë e të gjithë dashamirëve të futbollit, jo vetëm në Prishtinë por në masë në krahinën tonë”./BotaSot/