Arabia Saudite pritet të jetë nikoqire e Kupës së Botës 2034, pasi Australia u tërhoq nga gara për ta organizuar këtë turne të futbollit.
Federata e Futbollit e Australisë njoftoi vendimin për tërheqjen vetëm pak orë para se të mbaronte afati i fundit i FIFA-s për deklarimin e interesimit të martën.
Tani, Arabia Saudite është kandidatja e vetme për ta organizuar botërorin e burrave në futboll.
“Ne kemi ardhur në përfundim të mos e bëjmë këtë [kandidojmë] për garën e 2034-ës”, tha Federata australiane në një komunikatë për media.
Ajo thotë se qëllimi i saj është të përqendrohet në përpjekjet për ta organizuar Kupën e Grave të Azisë më 2026 dhe Kupën e Botës për Klube më 2029.
Kupa e Botës 2026 do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.
Maroku, Portugalia dhe Spanja do ta organizojnë Kupën e Botës 2030, por ndeshjet do të luhen edhe në Argjentinë, Paraguai dhe Uruguai.
Katari ishte nikoqir i Botërorit të fundit, 2022, midis sezonit të futbollit evropian për klube në nëntor dhe dhjetor, në mënyrë që ta shmangte të nxehtit ekstrem në muajt e verës dhe gjasat janë që edhe Botërori në Arabinë Saudite të mos mbahet në orarin tradicional qershor-korrik.