×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ja si përshkruhet në dosjen e Thaçit dorëheqja e Zyrës së Demaçit nga UÇK

    Insajderi
    16 November 2022 - 16:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Para pak ditësh Gjykata Speciale ka publikuar dosjen paraprake të mbrojtjes të ish-presidentit, Hashim Thaçi.

    Në dosjen 82-faqëshe, përveç ngjarjeve të luftës të përshkruara, janë përmendur edhe disa emra eminentë që kanë pasur role të ndryshme në konfliktin e 1998-1999.

    Një ndër ta është edhe Adem Demaçi, ish-përfaqësues politik i UÇK-së, në zyrën e të cilit kishte punuar edhe kryeministri i tanishëm, Albin Kurti.

    “Kur Grupi i Kontaktit thirri palët në Rambuje në janar 1999, Përfaqësuesi i Përgjithshëm Politik i UÇK-së ishte Adem Demaçi, një figurë tjetër që në mënyrë të dukshme mungon në narrativën e Prokurorisë. Roli i Demaçit si përfaqësuesi kryesor politik i UÇK-së, megjithatë, nuk mund të shkruhet thjesht nga historia. Që nga gushti i vitit 1998, Demaçi kishte funksionuar nga një zyrë e caktuar në Prishtinë, me 12 këshilltarë dhe mbante konferenca javore për shtyp për të prezantuar qëndrimet politike të UÇK-së. Ai takohej rregullisht me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, u lëshoi leje diplomatëve dhe gazetarëve ndërkombëtarë për të shkuar në zonat e kontrolluara nga UÇK-ja dhe ndërmjetësoi për lirimin e të burgosurve të UÇK-së. Ai ishte gjithashtu i vendosur kundër pranisë dhe pjesëmarrjes së UÇK-së në Rambuje”, thekson avokati i Thaçit, Gregory Keohe, në dosjen e tij paraprake, shkruan lajmi.net

    Ndër të tjera, në dosje përshkruhet edhe momenti i dorëheqjes së Demaçit, kur ky ishte shprehur i pakënaqur me faktin se UÇK-ja po merrte pjesë në Konferencën e Rambujesë.

    “Përfundimisht, delegacioni i Kosovës siguroi dy lëshime kryesore. E para ishte se Marrëveshja e Rambujesë do të kërkonte transformimin dhe jo shpërbërjen e UÇK-së. Së dyti, Marrëveshja e Rambujesë do të përfshinte “të drejtën e popullit të Kosovës për të mbajtur një referendum për statusin përfundimtar të Kosovës pas tre vjetësh”. Kjo siguri është përcjellë në një draft letre nga delegacioni i SHBA-së, se delegatëve shqiptarë të Kosovës u është thënë se Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Albright, do të nënshkruajë nëse delegacioni i tyre nënshkruan Marrëveshjen e Rambujesë brenda një afati të caktuar. Të armatosur me këto koncesione, z. Thaçi dhe anëtarët e tjerë të delegacionit të Kosovës kishin atë që u duhej për t’ua shpjeguar Marrëveshjen komandantëve të zonave në terren. Ndërkohë, Adem Demaçi, i cili mbeti i vendosur kundër Marrëveshjes së Rambujesë, kishte dhënë dorëheqjen nga UÇK-ja në shenjë proteste më 2 mars 1999”, thuhet në dosjen paraprake të Thaçit.

    Dorëheqja e Demaçit bashkë me zyrën e tij kishte bërë bujë edhe së fundmi në mediat kosovare kur këtu po diskutohej çështja e verifikimit të Listave të Veteranëve.

    Kjo pasi që kryeministri aktual, Albin Kurti, ka certifikatën e veteranit të UÇK-së, ani pse rrugët me UÇK-në ai i kishte ndarë më 2 mars të vitit 1999.

    Ndryshe, Thaçi është i vetmi nga të akuzuarit nga rasti i krerëve të UÇK-së, dosja e të cilit tanimë veç është publikuar.

    Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi ishin arrestuar më 5 nëntor të vitit 2020 në Prishtinë.

    Që nga atëherë, ata po qëndrojnë në paraburgim, në pritje të nisjes së gjykimit. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark