Presidentja Atifete Jahjaga, ka mbledhur në një hotel në periferi të kryeqytetit personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare në një ndejë lamtumirës, tre ditë përpara se t’ia dorëzojë postin e presidentit, Hashim Thaçit i cili do të marrë këtë post zyrtarisht me 7 prill.
Në këtë ndejë po marrin pjesë deputetë, pjesëtarë të Qeverisë Mustafa, drejtues të partive politike, anëtarë të shoqërisë civile e gazetarë.
Ajo ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve duke i falënderuar për mbështetjen dhe bashkëpunimin me të gjatë mandatit si presidente e Kosovës.
Madje për gazetarët ka pasur edhe një shaka.
“Faleminderit edhe gazetarëve dhe sonte nuk ka pyetje”, ka thënë Jahjaga në fund të fjalimit.
Jahjaga ishte zgjedhur presidente si zgjidhje e krizës politike të krijuar në Kosovës, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, rrëzoi nga posti i presidentit Behxhet Pacollin, pasi gjeti se zgjedhja e tij ishte bërë duke rënë në kundërshtim me aktin më të lartë të shtetit.
Pasardhësi i Jahjagës, Hashim Thaçi u zgjodh president në një seancë të tensiuar brenda nga reagimi i deputetëve të opozitës dhe protestës së qytetarëve jashtë saj.
Inaugurimi i tij si president do të bëhet të shtunën në një ceremoni në të cilën kanë paraljmëruar pjesëmarrjen mbi 500 personalitete të ndryshme të politikës vendore dhe ndërkombëtare./Insajderi.com