Një ngjarje tragjike ndodhi mbrëmë në familjen Hamiti në Prishtinë. Arsim Hamiti u ther për vdekje me thikë rrugën “Pjetër Budi” në Fushë Kosovë.
Për rastin policia tashmë ka arrestuar dy persona.
Shefqet Hasimi, avokati i L.B., i dyshuar për vrasjen e 41-vjeçarit i tha Gazetës Insajderi se L.B ka thënë se nuk e ka njohur më herët viktimën.
Ai ka treguar versionin që i dyshuari ka dhënë para policisë.
“Ky e ka marrë një veturë me qera edhe e ka lënë në parking ka thënë e kam pa një person duke tentuar me hap derën edhe ka ikë nga vendi i ngjarjes, ky e ka thirrë shokun e tij, hajde se kam problem me njërin, ai prej Orlloviqit ka ardhë shpejt e shpejt janë bë bashkë, qysh ka deklaruar e kanë pritur rreth 20 minuta derisa u dalë në një rrugë, ju kanë lëshu me një veturë, janë fjalos janë grushtu, edhe ai (shoku i tij) e ka nxjerr thikën e ka mbyt në vend. Ai qysh tha sjemi njoftë më herët, rastësisht ka ndodhë. Ashtu është deklaruar”, tha avokati Hasimi.
Sipas avokatit i dyshuari L.B nuk e ka pranuar veprën por mëgjithatë ka treguar se është pjesëmarrës në vrasjen që ndodhi së bashku me të dyshuarin tjetër A.M.