×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Jeta e re e Haxhiut e Gërvallës- Nga protestuese në degustuese speciale në hapjen e restaurantit të shtrenjtë aziatik

    Insajderi
    05 December 2023 - 20:34
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Patriarkalizmi i ashpër dhe kapitalizmi i egër janë rrethanë sulmuese dhe mendësi rrënuese për aktivizimin socio-politik të grave dhe vajzave”– kështu thoshte Albin Kurti, bartësi i Lëvizjes Vetëvendosje, parti politike me orientim politik të majtë dhe qëndrime tradicionalisht kundër kapitalizmit në një seancë parlamentare të Kuvendit më 2018-ën. Vetëm pesë vite më pas, në ditën ku po kërkohet drejtësi përmes protestës për Liridona Ademajn, dy ministre të Kurtit, Albulena Haxhiu dhe Donika Gërvalla, me veshje glamuroze ishin degustuese speciale në hapjen e ‘Noya Rooftop’, një restaurant aziatik që tashmë do të jetë edhe në Kosovë.

    Gazeta Insajderi

    Albulena Haxhiu, tash udhëheqëse e dikasterit të Drejtësisë, ishte pjesëmarrëse e lloj-lloj protestave gjatë kohës sa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë. Kundërshtimi i idesë për shkëmbim territorial i ish-presidentit Hashim Thaçi e “prokurorët e korruptuar” ishin disa nga kauzat për të cilat Haxhiu dilte në protestë.

    Aktivizmi i Haxhiut s’pushoi as në pushtet. Ajo doli si ministre e Drejtësisë në protestën përpara objektit të Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë në kohën kur protestohej për vrasjen e Marigona Osmanit para dy vitesh.

    Albulena Haxhiu në një protestë gjatë kohës sa Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë

    Dukja thjeshtë dhe solidarizimi me popullin ishin dy nga elementet prezente tek Haxhiu e tek ministrja Donika Gërvalla-Schwarz.

    Megjithatë, ministrja Haxhiu e Gërvalla duket se me ardhjen në pushtet shpejt e kanë “përqafuar” kapitalizmin. Haxhiu e Gërvalla qenë të ftuara si degustuese speciale në hapjen e ‘Noya Rooftop’, një restaurant aziatik prezent tash edhe në Kosovë.

    Në ambiente glamuroze dhe një veshje të tillë, ministrja Haxhiu dhe Gërvalla, si dhe politikanë të tjerë bënë hapjen e NOYA-s.

    “Nuk mund të niste ndryshe rrugëtimi zyrtar i NOYA Rooftop, përveç se me figurat më të larta të shtetit tonë e të shteteve tjera fqinje. Degustimi i parë në NOYA u bë nga Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e MPJD, Donika Gërvalla Schwarz, Ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, Ministri i drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja, Ministri i drejtësisë së Maqedonisë së veriut, Krenar Lloga, Deputete në parlamentin e Kroacis, Ermina Lekaj Prljaskaj, si dhe deputet të tjerë dhe përfaqësues të shteteve rajonale”, u tha në njoftimin e Petrit Kllokoqit, kryetarit të shoqatës së gastronomëve.

    Nga fotografitë e shpërndara, prezente shihet edhe zëvendësministrja e MPJD-së, Liza Gashi.

    Degustimi nga Haxhiu e Gërvalla ndodhi në të njëjtën kohë kur u zhvilluan protesta në kërkim të drejtësisë për Liridona Ademajn, së cilës dyshohet se iu orkestrua vrasja nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

    “Përqafimi” i kapitalizmit për tri vite pushtet nga Gërvalla e Haxhiu bien ndesh me fjalët e përpara pesë vitesh të kryetarit të Vetëvendosjes. Albin Kurti sa ishte në opozitë më 2018-ën, në një seancë parlamentare të Kuvendit të Kosovës, konsideronte se kapitalizmi i egër ishte një nga rrethanat që rrënonte aktivizimin socio-politik të grave dhe vajzave.

    “Patriarkalizmi i ashpër dhe kapitalizmi i egër janë rrethanë sulmuese dhe mendësi rrënuese për aktivizimin socio-politik të grave dhe vajzave”, deklaronte ndër të tjera ai, në një seancë plenare kushtuar 8 marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark