Aktorja Angelina Jolie në një intervistë për BBC-në ka diskutuar për filmin “First They Killed My Father”, në të cilin ajo ka rolin e regjisores.
Intervista është dhënë para premierës së filmit, i cili flet për gjenocidin që ka ndodhur në Kamboxhia, parë nga këndvështrimi i një fëmije. Skenarin e filmit e ka shkruar Jolie së bashku me Loung Ung, gjersa janë bazuar në vet memoriet e Loung Ung.
Aktorja Jolie shpreson që ky film do të ndihmojë njerëzit në Kamboxhia që të flasin më hapur në lidhje me gjithçka ka ndodhur gjatë asaj kohe, në të cilën 2 milionë njerëz kanë vdekur, shkruan BBC.
Ajo ka treguar se Kamboxhian për herë të parë e ka vizituar në vitin 2001, gjersa më vonë nga ky vend ka adoptuar edhe djalin e saj të madh Maddox.
“Ky vend ka qenë një zgjim për mua”, ka thënë aktorja duke treguar se ky vend i ka dhënë shumë dhe ajo nuk e di se a do të mund të ia shpaguajë këtë ndonjëherë.
Premiera botërore e filmit të saj është dhënë dje, gjersa në Netflix do të lëshohet në fund të këtij viti.