Zëvendësministri i Ministrisë Ekonomisë dhe Ambientit Rexhep Kadriu, i cili njëherit është edhe kandidat për deputet nga AAK, ka mbajtuar sot një takim virtual me përfaqësues të Bankës Botërore.
Kadriu ka diskutuar për hapat dhe formën e aktiviteteve që duhet ndjekur për implementimin e kredisë në vlerë prej 25 milionë euro
“Përfundimisht Gjilani në këtë vit siguron 24 orë furnizim me ujë, Sot, në cilësinë e koordinatorit nga ministria Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), zhvillova një takim virtual me përfaqësues të Bankës Botërore ku diskutuam hapat dhe formën e aktiviteteve që duhet ndjekur për implementimin e kredisë në vlerë prej 25 milionë euro. MEA është duke përzgjedh ekipin menaxhues të projektit si dhe dokumentacionin e nevojshëm për shpalljen e ofertës për studimin e fizibilitetit gjeomekanin të lokacionit në fshatin Desivojcë të Komunës së Kamenicës për ndërtimin e digës përmes së cilës do të furnizohet Kamenica, Ranillugu, dhe Gjilani me ujë të pijshëm”, ka shkruar Kadriu.
Tutje, ai ka shtuar se si komponentë shtesë për Gjilanin do të jetë edhe rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit dhe ndërrimi i gypave të azbestit si dhe vendosja e rrjetit aty ku nuk ka.
“Është paraparë që nga Desivojca të mbushet sipas nevojës Penda e Përlepnicës. Si komponentë shtesë për Gjilanin do të jetë edhe rikonstruimi i rrjetit të ujësjellësit dhe ndërrimi i gypave të azbestit si dhe vendosja e rrjetit aty ku nuk ka. Vlera e këtij komponenti arrinë në 10 milionë euro. MEA në bashkëpunim me Hidromoravën dhe kryetarët e Komunave të Kamenicës dhe Gjilanit, kanë për synim final që ky projekt të jetësohet këtë verë në mënyrë që qytetarët e të dyja komunave të kenë furnizim me ujë të pijshëm 24/7”, ka shtuar me tej ai. /Insajderi.org