Insajderi
Hulumtime/Analiza

Kafshët e importuara për therje “avullohen” në treg – AUV dërgon në Prokurori kompaninë “Elvis Lina” për rrezikim të shëndetit publik

Insajderi
19 May 2026 - 12:32
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Kafshët e importuara për therje “avullohen” në treg – AUV dërgon në Prokurori kompaninë “Elvis Lina” për rrezikim të shëndetit publik
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.
Shkruan: - Donjeta Islami

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dërguar zyrtarisht në Prokurorinë Themelore në Prishtinë lëndën penale kundër operatorit ekonomik “Elvis Lina SH.P.K.” me pronar Bislim Spahiu. Kompania me seli në fshatin Gllamnik të Podujevës po dyshohet për keqpërdorim të licencave të importit, devijim të qindra krerëve gjedhe nga destinacioni zyrtar dhe rrezikim të drejtpërdrejtë të shëndetit publik në territorin e Kosovës.

Dokumenti zyrtar të cilin e ka siguruar Insajderi e që mban datën 3 shkurt 2026, dëshmon se autoritetet veterinare kanë gjetur shkelje të rënda gjatë inspektimeve të kryera në terren.

Sipas shkresës drejtuar organit të akuzës, operatori ekonomik ka pasur licencë për importin e kafshëve të gjalla me qëllim therjen e tyre në thertore të autorizuara.

Megjithatë, të dhënat e grumbulluara nga inspektorati veterinar kufitar tregojnë një mospërputhje të madhe mes asaj që është deklaruar në kufi dhe asaj që ka ndodhur realisht me kafshët pasi kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Gati 400 gjedhe pa evidencë therjeje dhe shitje në treg të hapur

Gjatë periudhës tetor–dhjetor të vitit 2025, ky subjekt ka importuar gjithsej 396 gjedhe të dedikuara për therje, mirëpo për gjashtë dërgesa të veçanta, procedurat standarde janë shkelur plotësisht.

Vendimet e kontrollit kufitar të nxjerra përgjatë këtyre muajve specifikojnë se kafshët e importuara janë zhvendosur nëpër destinacione të paautorizuara, duke mos lënë asnjë evidencë të therjes së tyre në thertore të licencuara.

Për më tepër, inspektorët kanë konstatuar se në disa raste kafshët janë shitur direkt në treg të hapur, duke anashkaluar urdhrat zyrtarë që obligonin dërgimin e tyre në thertore brenda një afati të prerë prej 72 orëve nga momenti i hyrjes në vend.

Tri veprat penale për të cilat dyshohet “Elvis Lina”

Për shkak të këtyre veprimeve, AUV ka listuar në shkresën e saj dyshime të bazuara për konsumimin e tri veprave të rënda penale.

Kompania dhe pronari Bislim Spahiu ngarkohen me dyshimet për mashtrim, rrezikim të shëndetit publik, si dhe keqpërdorim të pozitës ekonomike apo autorizimeve.

Në kërkesën drejtuar Prokurorisë Themelore, institucioni ka kërkuar fillimin e menjëhershëm të hetimeve penale, sekuestrimin e dokumentacionit zyrtar për importet dhe therjet, vlerësimin e dëmit potencial fiskal që i është shkaktuar buxhetit të shtetit, si dhe parashikimin e masave ndaluese ndaj operatorëve të dyshuar për të parandaluar përsëritjen e veprës apo dëmtimin e provave.

Këto dokumente u vunë në dispozicion të Insajderit vetëm pas një rezistence administrative nga ana e AUV-it. Redaksia kishte parashtruar kërkesë zyrtare për qasje në dokumente publike që në janar të këtij viti, duke kërkuar specifikisht vendimet për shfuqizimin e pezullimit të licencave për këtë kompani, së bashku me arsyetimet ligjore dhe teknike mbi të cilat bazoheshin ato vendime.

Pasi AUV-i nuk iu përgjigj kërkesës brenda afateve ligjore, Insajderi iu drejtua me ankesë Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Ishte pikërisht ndërhyrja e këtij autoriteti ajo që e detyroi AUV-in të përmbushte obligimin ligjor dhe të dorëzonte shkresat që zbulojnë dërgimin e rastit në prokurori.

Gazeta Insajderi ka provuar të marrë edhe qëndrimin e palës së apostrofuar në këto dokumente.

Redaksia ka dërguar pyetje zyrtare pranë kompanisë “Elvis Lina SH.P.K” për t’u ofruar mundësinë e deklarimit mbi gjetjet e inspektoratit dhe akuzat e ngritura nga AUV. Por, deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, të njëjtit kanë zgjedhur të mos u përgjigjen pyetjeve të gazetës.

Përveç kompanisë, Insajderi ka drejtuar pyetje zyrtare edhe në Prokurorinë Themelore të Prishtinës për të konfirmuar ecurinë e hetimeve, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, as ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark