×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Kandidati më i votuar nga diaspora – Bulliqi e kthen në park parkingun e premtuar për mërgimtarët

    Insajderi
    09 November 2023 - 14:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka nënshkruar kontratë për demolimin e pjesës së parkingut që gjendet në objektin e Komunës. Bulliqi pretendon që këtë pjesë ta kthejë në një hapsirë gjelbëruese dhe park për ta shfrytëzuar zyrtarët komunal. I njëjti vend ishte shfrytëzuar si parking pa pagesë për mërgimtarët llapjanë, shkruan Insajderi.

    Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, që nga viti 2020 e deri në me 31 gusht të këtij viti gjatë sezonave të pushimeve, ka lëshuar parkingun e Komunës pa pagesë për mërgimtarët e Podujevës.

    Një vendim i tillë ishte mirëpritur nga diaspora, e sidomos pasi Bulliqi ishte kandidati i cili kishte arritur të sigurojë më së shumti vota nga diaspora për të udhëhequr këtë komunë.

    “Hapësira në pjesën e përparme brenda oborrit të ndërtesës së re të Komunës, lejohet për shfrytëzimi të parkingut të automjeteve me targa të huaja nga bashkatdhetarët të cilët qëndrojnë për pushime në Komunën e Podujevës, dhe jo vetëm.

    Hapësira lejohet për shfrytëzim 24 orë dhe atë pa pagesë”, thuhej në vendimin e marrë me 22 dhjetor të vitit 2020.

    Kontrata e titulluar “Ndërtimi, shtimi, rritja (në pronën publike të qytetit) e parqeve, hapsirave të reja të gjelbëruara”, ku përfshinë edhe oborrin e Komunës së Podujevës, ka vlerën prej 144 mijë e 540,29 euro.

    Por favori që Bulliqi ua bëri mërgimtarëve, si duket po merr fund. Kjo pasi që parkingu falas në objektin e Komunës po gjelbërohet duke u kthyer në një park.

    “Të demolohet asfalti dhe të pasurohet oborri me hapsira të gjelbërta, duke e zgjeruar oborrin e komunes jashtë kornizave të rrethojave ekzistuese dhe të bëhet një park i cili do të shfrytëzohet nga zyrtarët komuna”, thuhet në dosjen e tenderit të titulluar “Ndërtimi, shtimi, rritja (në pronën publike të qytetit) e parqeve, hapsirave të reja të gjelbëruara”.

    Foto 1: Gjendja e oborrit të Komunës me parking të rregulluar, ku ishte shfrytëzuar nga mërgimtarët.

    Ndërsa tani, asfalti i demoluar

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me Komunën e Podujevës, se pse ka ardhur një investim i tillë vetëm pas 3 viteve, dhe a do iu sigurojnë ndonjë zgjidhje mërgimtarëve për parking, por deri në publikim e këtij teksti nuk ka marrë ndonjë përgjigjje.

    /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark