Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Niq Krasniqi, i cili në zgjedhjet e 7 qershorit garon me numrin 98, ka folur për sfidat me të cilat përballen bizneset në Kosovë.
Sipas tij, investitorët e huaj kërkojnë një mjedis më të favorshëm për të investuar dhe zhvilluar aktivitetin e tyre ekonomik. Krasniqi ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit, duke thënë se nuk ka krijuar mekanizma të përshtatshëm për tërheqjen dhe mbështetjen e investitorëve të huaj.
“Një qeveri që nuk është dashamirëse e biznesit, nuk është as dashamirëse e ekonomisë dhe e zhvillimit ekonomik”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai theksoi se ndër arsyet kryesore të largimit të bizneseve nga Kosova janë rritja e çmimit të energjisë elektrike dhe mungesa e infrastrukturës rrugore.
“Në një vend ku, brenda një mandati qeverisës, çmimi i rrymës është rritur për 223 për qind, ky është problemi i parë për zhvillimin e ekonomisë. Problemi i dytë më i madh është infrastruktura. Në çdo planifikim biznesi, koha është një nga resurset kryesore që duhet të menaxhohet. Nëse në Kosovë katër akset kryesore të komunikimit rrugor nuk funksionojnë si duhet për shkak të kësaj qeverisjeje, asnjë biznes nuk dëshiron të zhvillojë aktivitetin e tij në një mjedis të tillë”, ka thënë Krasniqi.