Edhe katër ditë kanë mbetur nga dita e zgjedhjeve në katër komunat veriore të Kosovës. Për Insajderin ka folur kandidatja e pavarur për kryetare të Zveçanit, Sladjana Pantoviç.
Pantoviç ka treguar se situata aktuale është e qetë por që nuk përjashton mundësinë e ndonjë incidenti të mundshëm në ditën e zgjedhjeve.
“Situata aktualisht është e qetë dhe stabile falë policisë që po e kryen punën e saj në mënyrë profesionale, por nuk përjashtoj ndonjë incident të vogël gjatë zgjedhjeve siç ka ndodhur në çdo zgjedhje, këtu është një fenomen krejtësisht normal”, tha ajo për Insajderin.
Kandidatja e pavarur u zotua se do t’i kthejë të gjithë punëtorët që u dorëhoqën në nëntor në punë.
“Pres më të mirën, sepse nuk mund të jetë më keq se kjo tani. Siç e dini, institucionet janë bosh sepse punëtorët serbë i lanë në nëntor dhe kjo krijoi një vakum institucional që kërcënon ta çojë veriun drejt anarkisë dhe pafuqisë, gjë që rrezikon seriozisht të dëmtojë marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës, por nëse fitoj , siç e thashë edhe më herët, do t’i kthej në punë të gjithë punëtorët (sigurisht kush të dojë), dyert e komunës do të jenë të hapura për të gjithë dhe do të ofrohet ndihmë për të gjithë, pa dallim kombësie, feje e partie”, deklaroi ajo.
Pantoviç u shpreh se këto zgjedhje janë mundësi për normalizimin e marrëdhënieve mes palës serbe e asaj shqiptare.
“…Gjithashtu, pres që zgjedhjet të jenë të qeta, të rregullta dhe çdo gjë të bjerë në vend pas zgjedhjeve. Këto zgjedhje janë një mundësi unike që përfundimisht të normalizohen marrëdhëniet ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve dhe të kthehen njerëzit në institucione dhe të përmirësohen marrëdhëniet ndërpersonale në nivelin më të lartë të mundshëm”, tha Sladjana Pantoviç.
E pyetur lidhur me presionin që po bëhet nga Serbia ndaj qytetarëve serbë për mos dalje në zgjedhje, Pantoviç u shpreh optimiste duke thënë se “Mendoj se do ta bëjnë (do të dalin në zgjedhje), sepse qytetarët me të cilët kam biseduar janë të gjithë të zhgënjyer sepse nuk e dinë se çfarë do të ndodhë, sepse këtu ka pafuqi totale. Qytetarët nuk kanë kujt t’i drejtohen për problemet, nuk ka qeveri, institucionet nuk funksionojnë. Prandaj shpresoj që njerëzit të dalin, sepse në lojë është e ardhmja e të gjithë neve dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, pohoi për Insajderin kandidatja për kryetare në Zveçan.
Përveç Pantoviçit në garë për këtë komunë janë edhe; Ilir Peci (PDK), Fetah Peci (VV).
Një ditë më parë, Kryeministri Albin Kurti, tha se zgjedhjet në veri të dielën do të mbahen, ngase ajo pjesë e vendit ka nevojë për legjitimitet demokratik dhe funksionimin e institucioneve sipas tij.
Madje ai tha se kanë kontakte të vazhdueshëm me institucionet ndërkombëtare të sigurisë dhe e po bëjnë përgatitjet e nevojshme që procesi të shkojë sipas planit.
/GazetaInsajderi