Afro 3000 euro po i kushtojnë buxhetit të Gjilanit të udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së, blerja e disa karrigeve për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë. Opozita ka hedhur akuza se po blihen të reja pasi mbi 300 karrige dhe tavolinat që kanë qenë në QKMF janë “zhdukur”.
Gazeta Insajderi
Komuna e Gjilanit e udhëhequr nga Alban Hyseni i VV’së me datën 23 prill 2024, ka hapur tender për “Furnizim me Inventar për QKMF’në” në Gjilan.
Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 3230 euro.
Me datën 14 maj është nënshkruar kontrata për këtë tender. Fituese është përzgjedhur kompania “Offishop Group SH.P.K”, me vlerën prej 2890 euro.
Në listën e përshkrimit të çmimeve për furnizim me Inventar për QKMF’në në Gjilan, janë: Ulëse për pritje- tre ulëse. Karrige lëvizëse pa mbështetëse. Karrige lëvizëse me mbështetëse të ulët. Karrige statike.
Numri i furnizimit me këto karrige është gjithësej 59.
Mirëpo, lidhur me këtë kontratë të nënshkruar nga pushteti i Alban Hysenit, opozita në Gjilan kanë dal me disa akuza.
Nga Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan e kanë quajtur absurde blerjen e karrigeve të reja për QKMF’në.
Sipas opozitës, në komunën e Gjilanit ende nuk ka dhënë askush llogari për zhdukjen e mbi 300 karrigeve dhe tavolina, në vlerë prej 100 mijë euro. Por, po blihen të reja.
“Absurde, tender i ri për blerjen e karrigeve në QKMF. Ende askush nuk ka dhënë ende llogari për zhdukjen e mbi 300 karrigeve dhe tavolinave, që janë paguar nga buxheti i komunës së Gjilanit në vlerë prej rreth 100 mijë euro, ndërsa tani kryetari i Gjilanit Alban Hyseni përsëri ka shpallur tender për blerjen e 60 karrigeve të reja për QKMF. Gjilani me kryetar skandaloz, i zhytur në keqpërdorime të tenderëve, në keq menaxhim dhe humbje të kontrollit dhe mbikqyrjes së punës në institucionet e komunës“, thuhet në reagimin e opozitës.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me komunën e Gjilanit, se cila është përgjigja e tyre kundrejt këtyre akuzave, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.
Insajderi.org