Katër ditë pas njoftimit të Presidentes Vjosa Osmani për takimin me Presidentin amerikan Donald Trump në Davos dhe nënshkrimin e Kartës së Bordit të Paqes, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka bërë asnjë deklaratë publike lidhur me këtë takim.
Presidentja Osmani kishte bërë të ditur se, në emër të Republikës së Kosovës, ka nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes si anëtare themeluese, e barabartë dhe me të drejta të plota, krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar marrëveshjen si historike dhe në interes të lartë të shtetit të Kosovës. Ajo po ashtu njoftoi se marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit për ratifikim, në përputhje me Kushtetutën.

Megjithatë nga Kurti nuk ka pasur asnjë reagim, ani pse kryeministri ka gjetur kohë për fitnes.
Në rrjete sociale ka qarkulluar së fundmi një fotografi e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nga fitnesi.
Fotografia është shpërndarë gjerësisht online, duke tërhequr vëmendjen e publikut dhe duke nxitur reagime të ndryshme në rrjete sociale.
Ndryshe, Kurti nuk është i njohur për angazhim të shpeshtë në aktivitete sportive, çka e ka bërë fotografinë edhe më të komentuar.
