Katër herë kampioni botëror, Sebastian Vettel do të tërhiqet nga Formula 1 në fund të këtij sezoni.
35-vjeçari gjerman ka konfirmuar tashmë pensionimin nga Formula 1 pas përfundimit të edicionit aktual.
Ai ka thënë se vendimi kishte qenë “i vështirë” dhe se ai “kishte kaluar shumë kohë duke menduar për të”.
Gjermani shtoi se do të “merrte më shumë kohë për të reflektuar në atë që do të fokusohet më pas” në fund të vitit, ndërsa prioritet do të jetë të kalojë më shumë kohë me familjen e tij.
Vettel do të largohet nga sporti si një nga pilotët më të suksesshëm në histori, pasi ka fituar katër tituj radhazi të pilotëve me Red Bull nga viti 2010 deri në 2013.
Vetëm Lewis Hamilton, Michael Schumacher dhe Juan Manuel Fangio kanë fituar më shumë tituj botëror se Vettel, dhe vetëm Hamilton dhe Schumacher kanë më shumë se 53 fitore të tij në gara.
“Sot nuk është për të thënë lamtumirë. Përkundrazi, është për të thënë faleminderit – për të gjithë – jo më pak për tifozët, pa mbështetjen e pasionuar të të cilëve F1 nuk mund të ekzistonte”, ka thënë Vettel. /Telegrafi/