Kooperativa Bujqësore “Krusha” ka reaguar ashpër pasi aplikimi i saj për një grant bujqësor është refuzuar nga Agjencioni për Zhvillim të Bujqësisë në Ministrinë e Bujqësisë, duke e cilësuar këtë vendim si “shqetësuese dhe zhgënjyese”.
Ky reagim ka shpërthyer pas lajmit se një grant prej 100 mijë eurosh është miratuar për vëllanë e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, i cili, sipas akuzave, nuk kishte fermë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), por e regjistroi vetëm pasi kishte përfituar grantin.
Në një postim në Facebook, KB Krusha ka përmendur gjithashtu se janë refuzuar disa herë nga Ministria e Bujqësisë, dhe se nuk kanë marrë ndihmë financiare që nga viti 2015, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për të aplikuar për grante.
Kooperativa ka shprehur indinjatën e saj dhe ka theksuar se ky vendim i ka shkaktuar dëme të mëdha bujqësisë dhe zhvillimit të saj në këtë rajon.