KB Trepça e ka nisur furishëm mbrojtjen e trofeut të Kupës së Kosovës. Trepça është bërë skuadra e parë që është kualifikuar në gjysmëfinale të turneut “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll.
Në ndeshjen e parë të këtij turneu, i cili po mbahet në Rahovec, skuadra e Trepçës të mërkurën e mposhti Vëllaznimit.
Dueli çerekfinal, u mbyll me fitoren e thellë të ekipit nga Mitrovica me shifrat 81:56. Basketbollistët e Trepçës prej fillimit të ndeshjes dominuan ndaj Vëllaznimit, duke bërë që vazhdimisht të jetë në ndjekje të rezultatit. Çerekun e parë, Trepça e mbylli me 17 pikë epërsi (32:15), ndërsa në të dytin e thelloi edhe më shumë avantazhin, i cili shkoi në 23 pikë dallim.
Dominimin Trepça e vazhdoi edhe në çerekun e tretë, të cilin e përfundoi me 29 pikë epërsi, ndërsa në periudhën e fundit nuk e pati të vështirë ta mbajë epërsinë dhe ta eliminojë Vëllaznimin nga gara.
Më të dalluarit ishin Andrew Gordon e Mikaile Tmushiq me nga 13 pikë të shënuara secili, ndërsa me lojë të mirë u veçuan edhe Erjon Kastrati (12) e Will Daniles (12). Të Vëllaznimi vetëm dy basketbollistë e përfunduan ndeshjen me pikë dyshifrore. Jahii Carson pati 18 pikë, ndërsa Damonte Dodd shtoi 11 sosh, por që nuk mjaftuan për ta evituar humbjen e thellë. Në gjysmëfinale, Trepça e pret fituesin e çerekfinales tjetër, e cila luhet ndërmjet Pejës dhe Rahovecit dhe starton në orën 20:00.