Klubi i Trepçës ka njoftuar se pas instalimit të kamerave në palestrën sportive ‘Minatori’ ka identifikuar disa persona që kanë hedhur hedhur gjësende në parket.
Përmes një postimi në Facebook, Trepça ka publikuar një video ku shihet një person që hedh diçka në parket në ndeshjen e fundit ndaj Sigal Prishtinës.
Siç thuhet në postim emri i personit në fjalë dhe të tjerëve do të dërgohet në polici.
”Pas instalimit të kamerave ne palestren tonë, kemi idenifiku disa përsona qe kan hudhë gjësende në parket. Në videon e mëposhtme është personi i parë i cili ka hudhë në ndeshjen e fundit, qe për klubin është i njoftur me emer dhe mbiemer, por kësaj rradhe nuk po e publikojmë. Emri i përsonit në fjalë dhe të tjerëve do të dërgohet në polici.
Nga tipa të tillë, qe në numër janë shumë pak, klubi po dëmtohet shumë,” thuhet në postim.
Javën e kaluar ndeshja mes dy rivalëve të vjetër u ndërpre për disa minuta në fund të çerekut të tretë pasi tifozët vendas filluan hedhjen e gjësendeve në parket dhe ofenduan në kor Federatën e Basketbollit dhe kryetarin, Arben Fetahu.
Pas kësaj delegati i ndeshjes vendosi për zbrazje të menjëhershme të sallës.
Kujtojmë se incidentet në basketbollin kosovar gjatë këtij edicioni janë shtuar shumë, ku skenat e turpshme tashmë janë parë pothuajse në secilën palestër.