×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Kelmendi: Njerëzit më pyesin a jam penduar që i kam refuzuar milionat për ta përfaqësuar Kosovën

    Insajderi
    19 April 2022 - 15:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ish-fituesja e medaljes se artë në Lojërat Olimpike Majlinda Kelmendi ishte pjesë e ceremonisë ku u shënua dita e veteranëve të betejës së Koshares ku së bashku me trajnerin Driton Kuka u nderuan me çmimin “Ditët e Shqipes”

    Pas pranimit të çmimit, Kelmendi tha se ndihet krenare dhe e nderuar më këtë çmim dhe kujtoi se ajo gjatë karrierës së saj ka refuzuar shuma të mëdha të hollash nga shtete të tjera vetëm për të përfaqësua flamurin e Kosovës për të cilin, siç ka thënë ajo, është derdhur shumë gjak.

    Kelmendi deklaroi se edhe sot ka shumë njerëz që e pyesin nëse është penduar që ka refuzuar milionat për ta përfaqësuar Kosovën, por iu përgjigjet atyre duke thënë se mënyra se si popullin i këtij vendi e sheh atë, është diçka që nuk mund të blihet me para, transmeton KosovaPress.

    “Shumë njerëz më pyesin sot nëse jam pishman që i kam refuzuar milionat që më kanë ardhur nga shtete të ndryshme dhe unë kam vendosur ta përfaqësoj Kosovën kështu që nuk jam pishman aspak. Mënyra se si më shohin njerëzit, se si më trajtojnë sot në Kosovë nuk ka para që mund ta blejë. Kështu që nder dhe respekt të jashtëzakonshëm për Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës”, ka thënë Kelmendi.

    Ky nder iu bë atyre në ditën e veteranëve të betejës së Koshares, ku u vlerësua lartë sakrifica e madhe e dëshmorëve në betejën e Koshares.

    Organizimi u bë nën patronatin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish-Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

    Kuka dhe Kelmendi u vlerësuan lartë për punën dhe përkushtimin e madh në sport, i cili i solli rezultate kulminante Kosovës

    Atyre, çmimin ua ndau Rrustem Berisha, ish-komandant i kësaj brigade. Me këtë rast, Kuka u shpreh i nderuar me çmimin e marrë.

    Trajneri pejan shtoi se ai dhe garuesit e tjerë po e ndjekin rrugën e luftëtarëve. Ndërsa, Majlinda Kelmendi tha se ndihet krenare që e ka ngritur lart flamurin shtetëror të Kosovës. Ajo ndihet me fat dhe e nderuar që e pati mundësinë t’ia tregojë botës vlerat që i ka vendi i saj. Driton Kuka dhe Majlinda Kelmendi ia kanë sjell Kosovës sukseset më të mëdha në sport, duke fituar medalje të artë olimpike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark