17:45 - 31 Korrik 2017

Qëkur Youtube ka filluar punën, 14 video kanë thyer shikueshmërinë prej më shumë se 2 miliardë shikime.

Në këtë listë hyn edhe një këngë që u bë për një kohë të shkurtër kënga më e dëgjuar në të gjitha aplikacionet mobile, televizione dhe radio stacione.

Është kënga “Despacito” nga Luis Fonsi dhe Daddy Yankee e cila për vetëm gjashtë muaj ka marrë 2,7 miliardë shikime duke u bërë kështu këngë potenciale për të zënë vendin e parë në Youtube.

Tani në vendin e parë në këtë listë është “See You Again” e Wiz Khalifës me Charlie Puth, e cila kishte kaluar pak kohë më parë këngën “Gangnam Style” nga koreani PSY, ndërsa “Despacito” renditet e treta.

Por, “Despacito” në 100 këngët më të dëgjuara të javës, sipas BillBoard, tash e 10 javë nuk po ia lëshon vendin asnjërës nga këngët tjera.

Në javën e fundit të muajit prill ishte e 48-ta me rend dhe menjëherë javën e parë të majit doli e 9-ta. Pas dy javë të tjera doli e para dhe prej asaj kohe ka mbetur aty.

Tani kjo këngë është rrezik ta humbasë fronin. Rreziku vjen nga kënga tani mjaft shumë e dëgjuar e Rihannës me DJ Khaled dhe Bryson Tiller “Wild Thoughts”.

Kjo këngë ka startuar që në javën e parë të saj me vendin e katërt, e tani është në vendin e dytë. “Despacito” mund ta humbasë vendin gjatë javëve të ardhshme pasi këto dy këngë po “luftojnë” dhëmbë më dhëmbë për vendin e parë. /Insajderi.com