Vetëm pak ditë më parë Kosova është shokuar nga ngjarja e ndodhur në Ferizaj ku si pasojë e dhunës psikike dhe fizike ka ndërruar jetë Marigona O. Vetëm 18 vjeç. I dyshuari kryesor për vrasjen e saj është, Dardan Krivaqa, me të cilin kishte jetuar një kohë. Kjo ngjarje ka vënë në alarm shoqërinë për shkak të numrit të lartë të rasteve të dhunës në familje ku cak janë gratë.
Një debat i tillë është zhvilluar mbrëmë edhe në emisionin “N’NEJË” në ATV ku në mesin e të ftuarve ka qenë edhe këngëtarja, Ana Kabashi.
E përlotur teksa fliste për rastin e Marigonës, Kabashi ndau një pjesë historie nga jeta e saj, kur kohë më parë ishte keqtrajtuar nga ish i dashuri.
Ndonëse hezitonte të futej në detaje, me lot në sy Kabashi tregonte se si ishte “verbuar” nga dashuria sa kishte qenë në gjendje të duronte e të arsyetonte veprimet e këqija të ish të dashurit.
“Ka marrë kohë derisa e kam kuptuar, sepse kam hyrë në atë rolin që duhem me ia dëshmu që e dua atë njeri. (…) Ndonjëherë aq shumë e do sa nuk sheh, i arsyeton ato të këqijat, tërë kohën e arsyeton. E në momentin e parë që ti ia sheh këto të këqija, mendon që diçka s’është në rregull, ngoje qetu zemrën se përnime nuk të rren kurrë. Të shkon pak gjatë por nuk je vet. Ka djem të mirë, ka çika të mira, testoje, ndaju njëherë me të dhe shikoje. Jeta vazhdon edhe tutje. Nuk ke nevojë me kalu me dikë që nuk të bënë me u ndje mirë, që të bën të ndihesh se ti je e zonja, se ti e meriton me qenë e lumtur”, u shpreh Kabashi në ATV.
Këngëtarja gjithashtu e komentoi rastin e 18-vjeçares, për të cilin rast tha se e ka prekur shumë.
“Më ka prekur shumë. Ka shumë këso femrash tek ne. Nuk do të thotë që tek ne femrat gjithqysh janë provokative e për atë edhe është arsyeja. Kam pasur edhe shokë të mi, kam pa statuse, bile një muzikanti tim i kam thënë largoje atë status mos ta sheh kush se marre. ‘Çika mos i këqyrni djemtë që kanë zinxhirë, se ata nuk dinë ty me të trajtu’ – kush ka qejf me u dashur me një njeri që nuk din me të trajtua, ose ku e din ti, ajo është ndjenjë dhe nuk të jep ty të drejtë me e mbyt dikë”, u shpreh ajo.
Kabashi po ashtu ka përmendur edhe komentet e shumta paragjykuese ndaj saj, çka thotë ta kenë shtyrë mos të reagojë shumë për rastin në fjalë.
“S’kam folur shumë për këtë punë sepse njerëzit janë shumë paragjykues. ‘Ah ti dukesh shumë provokative, normal që ty ta bëjnë qeshtu, ose dikujt tjetër’ – janë komente shumë brutale nga njerëz me vizion të shkurtër, injorantë”, shtoi ajo.