×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Keqpërdorim me buxhetin”, Musliu udhëtoi në Kroaci me para të Komunës së Skenderajt (Dokument)

    Insajderi
    01 June 2023 - 21:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka udhëtuar jashtë vendit me shpenzime të mbuluara nga Komuna e Skenderajt. Musliu ka qëndruar në Kroaci në shkurt të këtij viti. Qëndrimi i Musliut në njërin nga hotelet e Zagrebit, i kushtoi kësaj komunë mbi 2 mijë euro.

    Në bazë të dokumentit që ka siguruar Gazeta Insajderi për udhëtim janë harxhuar 270 euro, ndërsa për akomodimin në “Hotel Antunovic” në Zagreb janë shpenzuar 1896 euro.

    Vizitën e deputetes në Kroaci e ka konfirmuar për Insajderin edhe vetë ajo. Musliu tha se ka qenë e ftuar nga kryetari i Skenderajt.

    Po është e vërtetë qe në shkurt të këtij viti me ftesë të Kryetarit të Komunës z.Fadil Nura kam qenë në Kroaci në një vizitë zyrtare. Për detaje të vizitës ju lutem drejtohuni tek kabineti i kryetarit Nura meqë ata janë organizator në Skenderaj“, tha ajo.

    Ndërsa nga Komuna e Skenderajt në një përgjigje për Gazetën Insajderi thanë se qëllimi i vizitës ishte për çështje të komunës.

    Caktimi i anëtarëve të delegacionit është bërë në bazë të kompetencave ligjore të cilat i ka Kryetari i Komunës si dhe karakterit të vizitës për binjakëzimin e komunës së Skenderajt me Vukovarin në Kroaci“, thuhet në përgjigje.

    Sipas tyre vizita është bërë së bashku me Shoqatat e dala nga lufta nga 18.03.2023 deri me 23.02.2023.

    Në përgjigjen e komunës thuhet se janë shpenzuar 4415 euro gjithësej.

    Lidhur me këto shpenzime dhe pjesëmarrjen e Musliut ka folur edhe asamblisti i partisë “Ideali”, Naser Bajraktari, ai e quajti keqpërdorim me buxhet të qytetarëve.

    Bajraktari për Gazetën Insajderi ka treguar se kanë kërkuar sqarime nga komuna, por që kanë marrë sipas tij përgjigje jo serioze.

    Kritikat tona ishin për shpenzimet e mëdha dhe për pjesëmarrjen e panevojshme të individëve jashtë komunës, ku njëri nga ta ishte edhe deputetja, Musliu. Fadil Nura nuk dha asnjë arsyetim për shpenzimet e mëdha dhe për rolin e pjesëmarrësve në këtë udhëtim. Fadil Nura në arsyetimin e tij thoshte se ne vendosim se kanë me e marrë nëpër udhëtime zyrtare, qe për neve ishte përgjigje jo serioze dhe ikje prej përgjegjësisë para Kuvendit. Këto shpenzime nuk janë asgjë tjetër përveç luksit të tepruar dhe keqpërdorim i buxhetit të qytetarëve të Skenderajt“, deklaroi Bajraktari.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark