
Prokuroria Speciale është duke kryer bastisje tek Ministria e Bujqësisë lidhur me dyshimet për skandalin e tenderit multi-milionësh për ndërtimin e fabrikës për mbetje shtazore.
Derisa po kryhen bastisjet, Policia e Kosovës del më një njoftim zyrtar, shkruan Insajderi
Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se Policia ka filluar zbatimin e një urdhër kontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, tha zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Njoftim pati edhe nga Ministria e Bujqësisë.
Ata thonë se janë të hapur për bashkëpunim me organet e rendit për të ofruar çdo informatë të kërkuar.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në reagimin e ministrisë.
Prokuroria Speciale konfirmoi më herët për Insajderin se bastisja është duke u zhvilluar në katër lokacione.