×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kërcënimi ndaj kryetarit e tre deputetëve të LDK-së – gjithçka që dihet deri tani

    Insajderi
    19 January 2023 - 08:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Pasditen e së mërkurës u raportua për një kërcënim ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe tre deputetëve të kësaj partie, Avdullah Hotit, Armend Zemajt dhe Arben Gashit.

    Pas raportimeve për këtë kërcënim detaje kanë dhënë edhe Policia e Kosovës, ku zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se janë duke hetuar këtë rast, duke e cilësuar si “kanosje”.

    “Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.

    Siç u raportua në media kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë. Po ashtu këto organe kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie.

    E pas lajmit në media, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka thënë për RTV Dukagjinin, se kanë pranuar një informacion të kësaj natyre.

    “Mund të konfirmojë se ka pasur një lloj planifikimi në Kosovë dhe disa vende të BE-së dhe jashtë territorit të Evropës. Individët kanë rënë pre e përgjimeve të njërës prej agjencive inteligjente kryesore të një vendi të BE-së. Nga ajo që na është thënë ka pasur një plan të strukturuar për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve të LDK-së”, tha ai.

    Sipas tij, atentati është planifikuar për arsye politike, ndërkaq në plan për atentat janë të përfshira dy organizata.

    “Njëra organizatë pretendohet se vepron në Kosova derisa tjetra jashtë Kosovës. Ajo që vepron jashtë Kosovës ka marrë përsipër të financojë ekzekutimin e këtij plani”, deklaroi tutje Shala.

    Nga Policia kanë thënë se kanë marrë masat e nevojshme lidhur me këtë rast.

    Pas lajmit të kërcënimit, ka reaguar edhe deputeti tjetër Armend Zemaj. Ai ka thënë se ky lajm ka shqetësuar familjet e të kërcënuarve dhe mbarë popullin e Kosovës.

    “Ne duhet të besojmë në organet tona të sigurisë, pavarësisht nga përvojat jo të mira nga e kaluara. Nuk është mirë që kemi këso informacione, por shpresojnë se organet e sigurisë do të bëjnë punën e tyre për të sqaruar rastin”.

    Ai thotë se policia e Kosovës është në kontakt me Abdixhikun atë dhe kolegët e tjerë të LDK-së që janë kërcënuar.

    Zemaj ka thënë se rastin ua kanë besuar organeve të sigurisë dhe nuk janë te interesuar ta marrin drejtësinë në dorë, por sipas tij nëse evidentohen me saktësi se planifikuesit janë shqiptarë do të përballen me ta edhe personalisht.

    “Në fund të fundit edhe siç e thotë populli: “Dy duar janë për një kokë”. Pra nëse kërcënuesi ka një adresë, na duhet një përgjigje edhe në aspektin personal, të ju them të drejtën. Nëse organet e evidentojnë se ata janë shqiptarë, ata (planifikuesit e atentatit) duhet ta kenë edhe një përgjigje pse e kanë marrë këtë veprim, edhe para drejtësisë edhe para drejtësisë së Zotit. Nuk munden mu anashkalua këto gjëra”. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark