Biznesmeni, nga Skenderaj, Ramiz Kamberi është ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se ka kërcënuar dëshmitarin bashkëpunes në rastin “Brezovica” , me iniciale A.Q.
Ramiz Kamberi është parë në shoqërin e biznesmenit Blerim Imeri, i cili është i dënuar në rastin “Brezovica”, shkruan Insajderi.
Të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi Arian Idrizaj në shkurt të vitit 2024 janë dënuar 65 mijë euro për veprën penale “ndotja, degradimi dhe jeta në mjedis”


Në foto: Blerim Imeri dhe Ramiz Kamberi
Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari Blerim Imeri është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.
Njëkohësisht i akuzuari Imeri ka qenë i obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro, të gjitha në afat prej 30 ditëve nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie nga ana e Gjykatës.
Blerim Imeri akuzohej se nga viti 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, ka kontraktuar ndërtimin e disa vikend-shtëpizave me ndërmarrjen ndërtimore “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend-shtëpiza ia ka shitur personave fizik.
Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.
Ndryshe sot Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë i dyshuari Ramiz Kamberi. nga komuna e Skenderajt, pasi dyshohet se ka kërcënuar dëshmitarin bashkëpunues në rastin “Brezovica”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Insajderi, personi i arrestuar është biznesmeni Ramiz Kamberi nga Skenderaj, ndërsa i kërcënuari është A.Q.
Në njoftim thuhet se R.K. dyshohet për veprat penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria bën të ditur se më 21 mars 2026, në restaurantin “Mero” në fshatin Uglar të Komunës së Fushë Kosovës, i dyshuari ka kanosur seriozisht dëshmitarin, duke i thënë:
“Vetëm qenke me fëmijë, se pa të vra në këtë vend nuk e kisha lanë.”
Kërcënimi kishte për qëllim frikësimin e dëshmitarit bashkëpunues që të përmbahej nga dhënia e deklaratave në çështjen penale “Brezovica”, e cila është në shqyrtim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë.
Prokuroria thekson se R.K. ka qenë i pandehur edhe më parë në rastin “Brezovica”. Brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Pejë.