×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kërkesa për djegien e mandateve në veri vlerësohet shantazh ndaj Kosovës

    Insajderi
    05 May 2023 - 08:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shantazh ndaj Kosovës po vlerësohet kërkesa e Bashkimit Evropian që të zhvlerësohen mandatet e katër kryetarëve të sapozgjedhur në komunat veriore. Njohës të çështjeve të pushtetit lokal thonë se BE-ja është dashur shumë më herët t’i analizojë situatat që mund të paraqiten në terren, dhe jo të dalë me kërkesa të tilla pas procesit zgjedhor. Disa nga kryetarët e zgjedhur shprehën të gatshëm të japin betimin e tyre.

    Njeriu që mundohet të tregojë se është promovues i paqes ka paralajmëruar krizë të re në veri të Kosovës.

    Këtë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka bërë pasi ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka refuzuar kërkesën e BE-së që të zhvlerësohen mandatet e kryetarëve të sapozgjedhur shqiptarë në katër komunat veriore.

    Refuzimin e këtij propozimi e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke thënë se nuk mund të bëhen kërkesa që mandatet të humbin duke mos u kryer betimi i kryetarëve.

    Izmir Zeqiri i cili më 23 prill është zgjedhur kryetar i Zubin Potokut, thotë se nuk ka informacione çfarë është diskutuar të martën në Bruksel.

    Por, ai shton se për mandatin që ka marrë është i gatshëm të betohet dhe ta çojë atë deri në fund.

    “Jemi në përgatitje e sipër që ta kryejmë këtë akt ceremonial, presim së shpejti që brenda një jave ose dhjetë ditësh kjo do të ndodhë… Kemi ftesa prej Ministrisë së Pushtetit Lokal, kështu që do të takohemi dhe harmonizojmë punët”, ka deklaruar ai.

    Megjithatë, Zeqiri shton se për çfarëdo vendimi do të koordinohen me Qeverinë.

    I gatshëm për t’u deklaruar rreth kësaj çështjeje nuk ka qenë kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

    Ndërsa, kërkesën e BE-së e quan të papranueshme ish-ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati.

    Ai thotë se për situatën aktuale, Brukseli është dashur t’i bëjë llogaritë para mbajtjes së zgjedhjeve.

    “Kjo në njëfarë forme është presion dhe të mos themi poshtërim që provohet tash t’u bëhet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe kjo është e papranueshme. Por, nuk përjashtohet mundësia që do të ketë ulje në një diskutim dhe të gjendet një zgjidhje politike për situatën e krijuar” , ka thënë Ferati.

    Kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore janë zgjedhur më 23 prill, pas bojkotimit të procesit nga Lista Serbe.

    Sipas ligjit, ata kanë kohë ta kryejnë betimin deri më 28 maj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark