×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Kërkohet rishikimi i aktakuzës ndaj tri infermiereve që sulmuan të moshuarën në Pejë

    Insajderi
    05 May 2023 - 12:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) i ka kërkuar Prokurorisë Themelore në Pejë që ta rishikojë aktakuzën e ngritur ndaj tri infermiereve për rastin e keqtrajtimit të të moshuarës në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.

    Të tri infermieret bazuar në njoftimin e Prokurorisë që është lëshuar të enjten akuzohen vetëm për veprën penale “sulmi”. Por QKRMT-ja ka vlerësuar se bazuar në pamjet e publikuara në media shihet qartë përdorimi i dhunës dhe poshtërimi ndaj të moshuarës dhe ka thënë se kishte kërkuar që veprimet ndaj të moshuarës të trajtohet si vepër penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” (neni 195), apo të “Torturës” (neni 196), pasi sipas tyre veprimet ndaj të moshuarës kishin edhe elemente të torturës.

    “QKRMT i bën thirrje Prokurorisë Themelore në Pejë dhe Gjykatës Themelore në Pejë, që ta rishikojnë këtë aktakuzë dhe të ri kualifikojnë veprën penale, sepse dhuna e përdorur ndaj të moshuarës është bërë në institucion të licencuar nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe personat që kanë ushtruar dhunë ndaj të moshuarës kanë qenë të punësuara në atë institucion”, thuhet në deklaratën e QKRMT-së.

    Sipas tyre shteti ka përgjegjësi për trajtimin me dinjitet ndaj personave që janë nën mbikëqyrjen e shtetit apo institucioneve të autorizuara nga shteti, dhe se dhuna e përdorur ndaj të moshuarës, nuk mund të konsiderohet si sulm i zakonshëm pasi që thuhet se “ajo është shkaktuar nga persona zyrtarë, pra infermiere të shtëpisë së të moshuarve, gjë që janë përmbushur elementet e veprës penale ‘Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’, e po ashtu është dashur të vlerësohen edhe veprimet që mund të konsiderohen si ‘Torturë’”.

    “QKRMT u bën thirrje institucioneve përkatëse për mbikëqyrje efektive të trajtimit të personave të vendosur në institucione të mbikëqyrura nga shteti, dhe ndërmarrjen të gjitha veprimeve për ndalimin e torturës dhe çdo forme tjetër të keqtrajtimit”, thuhet në deklaratë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark