×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Kërkuam t’i merrej leja”- avokati i familjes së të miturës që u godit nga ministrja Hajdari komenton vendimin e gjykatës

    Insajderi
    24 October 2023 - 17:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Florim Shefqeti, avokati i familjes së të miturës që u godit nga vetura prej ministres Rozeta Hajdari, ka theksuar se dënimi prej 200 eurosh ndaj të pandehures nuk përkon me gjendjen faktike.

    Shefqeti, në një prononcim për Insajderin ka thënë se gjykata do duhej ta kishte parasysh ndryshimin e deklaratës së ministres Hajdari, si dhe super-ekspertizën. Super-ekspertiza ka konstatuar se shefja e dikasterit të MINT-it nuk ka frenuar gjatë momentit të aksidentimit të së miturës.

    “Sido që të jetë, mbi këtë bazë, ne konsiderojmë se dënimi i shqiptuar me gjobë dhe këtë lartësi nuk përkon me gjendjen faktike. Edhe ndërrimi i deklaratës, së cilës nuk mund t’i falet besimi kur ndryshon deklarata, por edhe me provat e tjera që është super-ekspertiza, që ka konstatuar se në momentin e aksidentit ka qenë 32 km në orë, ndërkaq në momentin e reagimit ka qenë 31 km në orë. Kemi të bëjmë vetëm me një kilometër në orë, pra fare s’ka pasur frenim”, ka deklaruar ai.

    Avokati, pos tjerash, ka bërë të ditur se mbrojtja në fjalën përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që të pandehures t’i merret patentë shoferi dhe t’i ndalohet automjeti.

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 200 euro gjobë të martën ministren Rozeta Hajdari lidhur me aksidentin në komunikacion ku e goditi me veturë një të mitur.

    Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehures R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në vendim.

    Përpos kësaj, Hajdari obligohet që të paguajë shumën prej njëqind (100) € për mendimin e ekspertit të komunikacionit, po ashtu obligohet të paguajë shumën prej nëntëqind (900)€ për super ekspertizë dhe për ekspertizë mjeko – ligjore të paguajë shumën prej 50€. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark