
Policia e Kosovës ka arrestuar dje kryeshefin e Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqin, si i dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit” dhe “Konflikti i interesit”.
Para këtij arrestimi, në hapësirat e KEK-ut ishte kryer një kontroll nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Pas këtij aksioni pushteti i doli në mbrojtje Krasniqit, të dyshuarit për keqpërdorim të pozitës.
Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë mbrëmë se kryeshefi i KEK nuk është pjesë e partisë së tij.
“Personin të cilin që e përmendet ju si anëtar të VV-së unë e kam pasur në Komision hetimor dhe e kam intervistuar vetë, por nuk është anëtar i VV-së. Personin që po flisni ju nuk është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Mos të keqkuptohet se nuk është formë e distancimit nga ai, por është një e pavërtetë. Pra personi që është arrestuar sot, ku në ditët në vazhdim drejtësia do ta thotë fjalën e vetë, mirëpo nuk është i Vetëvendosjes. Vetë e kam intervsituar në Komision hetimor”, ka thënë Rexhaj në Kanal 10.
Deputeti tjetër, Halil Thaçi, ka thënë se Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e Krasniqit, duke thënë se “një atentat ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”
“Është lajm i mirë kur dëgjova arrestimin e Drejtorit të Kek-ut, pasi gjithmonë jam frigu se do të dëgjoj lajmin mbi atentatin e tij, duke e ditur se sa banditëve ju ka ndalë zhvatjen e KEK-ut. Policia duhet të jetë e vëmendshme për sigurinë e tij, mbase atentatin ndaj tij mund të ndodhë edhe aty në mbajtje”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Ndërsa deputeti tjetër i VV-së, Adnan Rrustemi, e quajti me porosi arrestimin e Krasniqit.
“Asnjë aktakuzë e arrestim për një muaj me 16 barrikada në veri, asnjë aktakuzë për qindra dosje të dorëzuara, e mos të flasim që deri para dy viteve ishin aty ku janë si prokurorë për të mbrojtur korrupsionin përmes aktakuzave qëllimisht të dobëta, por ju hodh sipër kryeshefit të KEK-ut nga LVV”, ka shkruar Rrustemi në Facebook.