×
  • Lajme
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Këta janë sektorët që u prekën më shumë nga pandemia

    Insajderi
    28 October 2020 - 13:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kriza e pandemisë në Kosovë ka rënduar pothuajse të gjithë sektorët e prodhimit në vend.

    E sektorët që u prekën më së shumti për nga të hyrat e aktiviteteve ekonomike nga rënia e shpenzimit në tremujorin e dytë të 2020-s, ishin: ndërtimi me -47.08%, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor -24.4 përqind, aktivitetet profesionale dhe administrative -16.39 përqind, aktivitetet financiare dhe të sigurimit -6.71 përqind dhe bujqësia, pyjet dhe peshkimi -1.74 përqind.


    Kjo e dhënë del nga studimi i Institutit GAP, mbi ndikimin e pandemisë Covid-19 në ekonominë e Kosovës, gjatë këtyre muajve përballje me të.

    Ndërkaq, rritje reale të të hyrave kanë shënuar aktivitetet si: industria nxjerrëse, ajo përpunuese, energjia elektrike, dhe furnizimi me ujë me 19.8 përqind, informacioni dhe komunikacioni 29.6%, si dhe administrimi publik, arsimi dhe shëndetësia me 4.73 përqind.

    Sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), gjatë gjatshtëmujorit të parë të këtij viti u deklaruan rreth 584 milionë euro ose 11 përqind më pak të hyra se në periudhën e njëtë të vitit paraprak. Nga kjo shumë, më së shumti ndikim pati rënia e qarkullimit të aktiviteteve të tregtisë dhe riparimit të mjeteve motorike me minus 241.5 milionë më pak të hyra, ndërtimtaria me -77.2 milionë, transporti dhe magazinimi me -72 milionë, industria përpunuese me -54.2 milionë më pak të hyra. Rënia e qarkullimit të bizneseve ka ndikuar edhe në të hyrat tatimore sipas GAP-it.

    Performanca e dobët e industrive në gjashtëmujorin e parë ndërlidhet më së shumti me mbylljen e ekonomisë për më shumë se dy muaj, e më pas hapja graduale e disa industrive deri në muajin qershor. Hapja e bizneseve në mënyrë jo të sinkronizuar ka paraqitur pengesa në realizimin e të hyrave optimale marrë parasysh zinxhirin e furnizimit ku prodhimi i një industrie mund të jetë lëndë e parë për industrinë tjetër.

    Në këtë situatë ekonomike, disa industri do të pësojnë më shumë se sa të tjerat, vlersojnë nga GAP-i. Në këtë kategori bëjnë pjesë industria e ndërtimit, patundshmërisë, arteve, argëtimit dhe rekreacionit.

    “Kjo për faktin se qarkullimi i industrive në Kosovë realizohet në formë ciklike ku secila industri në periudha të ndryshme të vitit realizon të hyrat më të larta. Industritë që normalisht realizojnë pikun e të hyrave gjatë tremujorit të dytë, këtë vit do ta kenë më të vështirë rikuperimin e humbjeve sepse periudha më e rëndësishme e vitit i gjeti pothuajse tërësisht të mbyllura”, thuhet në raport.

    Gjatë muajve prill-qershor 2020, industria e ndërtimit deklaroi 37 përqind më pak të hyra, aktivitetet e patundshmërisë -40 përqind, ndërsa industria e arteve, argëtimit dhe rekreacionit -85 përqind më pak se në kohën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Këto janë të hyra të humbura që nuk mund të rikuperohen lehtë brenda vitit sepse piku i këtyre industrive ka kaluar. Prandaj vonesat në implementimin e masave mbështetëse nga qeveria dhe Banka Qendrore mund të rrezikojnë edhe të hyrat e industrive të tjera gjatë muajve të ardhshëm të vitit, thonë tutje nga GAP-i.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark