Gazeta Insajderi ka raportuar gjatë ditës për një skandal brenda stacionit të policisë në Pejë që përfundoi me dy zyrtarë policorë të suspenduar. Bëhet fjalë për Sead Hamziç, hetues në stacionin policor të Pejës. Insajderi, duke u bazuar në një ankesë që fillimisht ishte adresuar tek IPK, raportoi se Hamziç kishte marrë një të dyshuar të arrestuar për armëmbajtje pa leje në një aheng nga qendra e ndalimit për ta rikthyer në dasmë për 30 minuta.
Ndaj tij, Inspektorati Policorë i Kosovë ka marrë masa. Ai është suspenduar nga puna si zyrtarë policorë. Bashkë më të, IPK ka suspenduar edhe një zyrtarë tjetër.
Insajderi mëson se zyrtari i dytë i suspenduar është Përgjegjësi për Qendrën e Ndalimit në Stacionin policorë në Pejë.
IPK në njoftimin e publikuar ka sqaruar se sipas informacioneve fillestare që kanë pranuar hetuesit e IPK-së dyshohet se zyrtarët policorë kanë tentuar të lirojnë përkohësisht një të dyshuar për armëmbajtje pa leje i cili ishte arrestuar nga policia në Pejë dhe ishte në qendrën e ndalimit në stacionin policor të Pejës, njofton IPK
Insajderi po ashtu raporti se ky skandal është bërë me dijeninë e Prokurorit kujdestar, Dorjan Juniku.
“Seadi me tha po e dërgoj ne darsem 30 minuta dhe e kthej prap se kam fol me prokurorin dhe me ka thëne mos me humb kohe me shumë”, thuhet në ankesën që e ka parë Insajderi.
“…ndërkohe kam telefonuar dhe Prokurorin kujdestar Dorjan Juniku te cilit i kam thënë se a je ne njohuri dhe a ke leshur ndonjë vendim tjetër për lirimin e te dyshuarit sepse Seadi e ka nxjerr pa dijeninë time te dyshuarin nga ndalimi policor dhe po thirret ne emrin tënd qe i ke thënë me dërgua ne darsem 30 min, Prokurori me ka thëne se Seadit i kam thëne qe ju i dini procedurat tuaja dhe nëse keni mundësi mundeni me dergu ne dasmë 30 minuta dhe e ktheni prap”, vijon ankesa.
Pas një telefonate që ankuesi e kishte bërë me eprorët menaxhues të Policisë në Pejë, polici Hamziç, siç pretendohet në ankesë, e ka kthyer të dyshuarin menjëherë në mbajtje.
Ankesa tutje precizon se Hamziç është i caktuar për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, mirëpo i njëjti ka përzgjedhur qëllimisht ta trajtonte rastin ku do të synonte ta nxjerrte nga paraburgimi Eldin Muminoviç.
Eldin Muminoviç, Erhad Muminoviç dhe Almir Memiç janë arrestuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” ku nga një aheng në një restorant në Pejë janë konfiskuar dy armë zjarri dhe në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar 46 gëzhoja të pistoletës. /Insajderi.org/