Stili dhe grafika novatore, kombinuar me simbolet e rëndësishme të historisë e traditës së shqiponjave: Federata Shqiptare e Futbollit dhe Macron kanë zbuluar fanellat e reja (uniforma e parë, e dytë dhe e tretë), që do të shoqërojnë Kombëtaren shqiptare në rrugëtimin e kualifikuesve të Kampionatin Evropian “Gjermani 2024”.
Premiera është programuar të hënën më 27 mars 2023, kur skuadra e drejtuar nga Silvinjo do të përballet me Poloninë në ndeshjen e parë kualifikuese të Grupit E.
Shqiponja dykrenore, që përfaqëson identitetin e një populli, guximin dhe vlerat e tij, është motivi grafik dominues në fanellat e reja të Kombëtares. I fortë dhe i qartë mesazhi në mbështetje të mjedisit: uniformat janë realizuar tërësisht nga “Eco Fabric”, një material i përbërë 100% me plastikë të riciklueshme, duke konfirmuar kështu filozofinë e gjelbër të FSHF-së dhe Macron.
Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është me ngjyrë të kuqe me një jakë polo të zezë dhe mbyllje me tre kopsa. Skajet e mëngëve dhe një shirit vertikal anash janë gjithashtu me ngjyrë të zezë. Pjesa e pasme e qafës është e personalizuar me logon e FSHF, logon Macron ku shkruhet “Designed in Bologna” për të vërtetuar dhe nxjerrë në pah se si çdo veshje është konceptuar, dizajnuar dhe zhvilluar në selinë qendrore të kompanisë në Bolonjë.