Klubi i futbollit, Malisheva, duke hedhur akuza të rënda ndaj gjyqtarit të futbollit, Mervan Bejtullahu, për paraqitjen në ndeshjen ndaj Dukagjinit të shtunën, ka thënë se “nuk garanton për sigurinë fizike” të tij dhe të gjyqtarëve të tjerë.
Të shtunën, Dukagjini fitoi ngushtë në Klinë me një gol në minutat e fundit për fitoren e rëndësishme të ekipit të Armend Dallkut. Malisheva mbetet në luftën për mbijetesë në Superligë.
Malisheva e ka cilësuar skandaloz referimin e Bejtullahut.
“Një skenë bizare ndodhi kur Mervani e përfundon ndeshjen në rastin vendimtar kur para zonës së rreptësisë faulohet ashpër lojtari ynë Drilon Hazrollaj, dhe në vend se të ndëshkoj me karton lojtarin e Dukagjinit, ai çuditërisht e përfundon ndeshjen derisa ora tregonte edhe 35 sekonda lojë. Frika e tij se kjo gjuajtje e lirë, nga një pozitë perfekte për të shënuar, mund të rezultonte në gol, ai merr vendimin më bizar që ka ndodhë në futbollin tonë duke e përfunduar lojën para kohe vetëm e vetëm që të mos realizohej gjuajtja e lirë”, thuhet në reagimin e Malishevës në Facebook.
Ky klub ka akuzuar se “kjo ndeshje nuk është e vetmja ku gjykimi i Mervanit është subjektiv”.
“Edhe në ndeshje të mëparshme ai me gjykimin e tij e ka dëmtuar rëndë skuadrën tonë. Mervani është i padëshirueshëm për Prishtinën për shkak se ka dëmtuar. Ai është i padëshirueshëm për Ferizajn për shkak se e ka dëmtuar, është i padëshirueshëm për Malishevës se e ka dëmtuar!” thuhet në reagim.
Malisheva po ashtu ka akuzuar se Bejtullahu ka qenë “i koordinuar me asistentët dhe referin në VAR”, “për ta nxjerrë rezultatin e dëshiruar për ta”.
Ky klub ka thënë se do të bëjë ankesë zyrtare në Federatën e Futbollit të Kosovës.
“Përveç që e dëmton futbollin, sjellja e Mervanit ka ngjallur indinjatë edhe të tifozët tanë dhe opinionin e gjerë në Komunën tonë përfshirë edhe zyrtarë publikë. Duke parë reagimet në opinion pas ndeshjes së sotme FC Malisheva nuk garanton për sigurinë fizike të Mervan Bejtullahut dhe trupit gjykues të takimit të sotëm”, thuhet në reagim të publikuar të shtunën në mbrëmje.
Ndërkaq, Ferizaj ka reaguar të shtunën ndaj deklaratës së Malishevës në të cilën ishte përmendur si klub që e konsideron të padëshirueshëm Bejtullahun.
“Klubi i Futbollit FC Ferizaj distancohet duke reaguar ndaj shkrimit të KF Malishevës që ka të bëjë me gjyqtarin, Mervan Bejtullahu. Kujtojmë se, në reagimin e Malishevës shkruan ‘Mervan Bejtullahu është i padëshiruar për FC Ferizajn’. Duke e shfryer mllefin e tyre ata e thanë një të pavërtetë të madhe. Klubi i Futbollit “FC Ferizaj” njofton opinionin sportiv se gjyqtari në fjalë nuk ka qenë asnjëherë i padëshiruar për ne. Nuk kemi reaguar as ndaj Bejtullahut e as ndaj të tjerëve sepse e vlerësojmë punën e secilit gjyqtar në futbollin kosovar. Në shumë raste pas ndeshjeve ne e kemi shprehur mllefin ndaj gjyqtarëve, nën ndikimin e emocioneve të rezultatit, por asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i kemi shpallur të padëshiruar gjyqtarët, e aq më pak Mervan Bejtullahun. Lusim të gjitha ekipet kundërshtare që në betejat e tyre, mos të përmendin klubin tonë sepse ne nuk jemi të prirur që të fajësojmë të tjerët, kur nuk i arrijmë rezultatet e dëshiruara”, thuhet në reagimin e Ferizajt.