KFOR-i ka thënë se nuk janë aspak të përfshirë në rastin e Ademit, i cili u arrestua nga policia e Kosovës muajin e kaluar. Kështu duke demantuar Federatën e Futbollit të Kosovës se një ekip i vet nga Zyra Ndërlidhëse dhe e Monitorimit do të merrej me shqetësimet e saj rreth arrestimit të kreut të futbollit në vend, Agim Ademi.
Forca paqeruajtëse ndërkombëtare në Kosovë – e udhëhequr nga NATO – tha për Gazetën Nacionale se nuk është aspak e përfshirë në këtë rast.
“KFOR-i nuk është i përfshirë në këtë rast”, tha zyra e KFOR-it në Prishtinë.
Kreu i federatës Ademi u vendos në arrest shtëpiak njëmujor në fund të muajit të kaluar, i dyshuar për shmangie tatimore dhe për keqpërdorim të parave të federatës së futbollit.
Në të njëjtën kohë, një ekip i Zyrës Ndërlidhëse dhe Monitorimit e KFOR-it e vizitoi federatën e futbollit ku u prit nga nënkryetarët Bakir Burri e Agim Dibrani dhe sekretari i përgjithshëm Taulant Hodaj.
Në një komunikatë për media pas këtij takimi, FFK-ja u lëshua në pretendime të mëdha që ngritën shumë pikëpyetje për përfshirjen e mundshme të misionit paqeruajtës në punët e sistemit të pavarur të drejtësisë në Kosovë.
“Të njëjtit…dëgjuan më vëmendje shqetësimet e drejtuesve të FFK-së. Ata theksuan se çdo shqetësim i qytetarëve dhe organizatave në Kosovë, siç është edhe FFK-ja, është pjesë e rëndësishme e punës dhe monitorimit të kësaj Zyre Ndërlidhëse dhe se të gjitha shqetësimet ata do t’i raportojnë tek organet gjegjëse. Krerët e FFK-së i njoftuan zyrtarët e KFOR-it për të gjitha zhvillimet dhe theksuan se tashmë kanë përgatitur raportet e nevojshme për t’i paraqitur ato para organeve përkatëse”, thuhej në komunikatën e FFK-së nga 24 marsi.
Misioni parësor dhe i vetëm i Forcës së KFOR-it në Kosovë është të garantojë një mjedis të sigurt dhe të garantojë lëvizjen e lirë në gjithë territorin e Kosovës për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo origjine.
Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.
Përveç Ademit, këtë javë u morën në pyetje edhe katër zyrtarë të tjerë të FFK-së, nën dyshimin se kanë keqpërdorur fondet e federatës.
FFK-ja është përpjekur të përdorë çdo formë për t’i goditur autoritetet e rendit në vend dhe Ministrinë e Sportit për shkak të rrëmujës së shkaktuar nga paaftësia e Ademit për siguruar licencën nga kjo e fundit.