CFC-11 përdorej kryesisht në ndërtim por prodhimi global duhej të përfundonte në 2010. Por shkencëtarët kanë parë një ngadalësim në shkallën e reduktimit gjatë gjashtë viteve të shkuara.
Ky studim i ri thotë se kjo shkaktohet kryesisht nga prodhimi i gazit në provincat lindore të kinës.
CFC-11 njihet ndryshe edhe si triklorofluorometani, dhe është një nga një seri kimikatesh të klorofluorkarbonit që fillimisht përdoreshin si freskues gjatë viteve 1930.
Sidoqoftë, u deshën shumë dekada që shkencëtarët të zbulonin se kur CFC del në atmosferë, çliron atome klori që mund të shkatërrojnë shpejt shtresën e ozonit që na mbron nga rrezatimet ultraviolet.
Një vrimë në shtresën e ozonit u zbulua mbi Antarktidë në mesin e viteve 80. Komuniteti ndërkombëtar u pajtua në protokollin e Montrealit në 1987 që ndalonte pjesën më të madhe të kimikateve të rrezikshme. Kërkimet më të fundit sugjeronin se vrima në hemisferën veriore mund të zhdukej tërësisht deri në 2030 dhe ajo në Antarktidë deri në 2060.
Sasia e CFC 11 pritej të reduktohej, por një ekip kërkuesish që monitorojnë atmosferën zbuloi se shkalla e rënies është ngadalësuar pas 2012.
Ekipi tha se shihej prodhim i ri i gazit nga Azia Lindore. Autorët argumentojnë se nëse burimet e prodhimit të ri nuk do të mbyllen, kjo mund ta vonojë shërimin e shtresës së ozonit me një dekadë më shumë. Dhe kërkimet në Kinë treguan se vendi ishte burimi kryesor./Tch/