Sezoni i fundit ishte për t’u harruar për Evertonin. Skuadra nga Liverpuli e nisi Premier League me ambicie të mëdha, por në fund rrezikoi rënien në Championship.
Drejtuesit i besuan stolin Frank Lampard në ditën e fundit të janarit dhe ish-mesfushori e trajneri i Chelsea uli kokën, zhvilloi një punë të jashtëzakonshme dhe ndihmoi Evertonin të qëndronte në elitën e futbollit anglez.
Sulmuesi Andros Townsend ia jep të gjithë meritat trajnerit, i cili bëri një punë të madhe me lojtarët, të cilët ishin tepër të rënduar në aspektin mental.
“Ekipi kishte vdekur, Frank na kapi për dore dhe na ndihmoi. Ai mori drejtimin e një ekipi të shkatërruar psikologjikisht. Ishin disa arsyet pse nuk po dilnim nga mentaliteti humbës.
Tani kemi shpëtuar nga rrëzimi një divizion më poshtë, trajneri do e pranojë se kjo ishte gjëja më e bukur që mund të na ndodhte.
Ai zgjodhi lojtarët që ishin gati për beteja dhe ata që mund t’u besonte verbërisht. Frank i ka idetë e qarta edhe në lidhje me lojtarët që do ofrojë në merkato.
Shpresojmë që ta përdorim këtë përvojë të luftës për mbijetesë dhe të mos i kthehemi më kurrë asaj situate, por edhe ta përdorim si trampolinë për të ecur përpara në sezonin e ardhshëm”, deklaroi ish-lojtari i kombëtares angleze.