Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të enjtën e kaluar kishte miratuar propozimin e Ministrisë së Jashtme që krahas votimit në përfaqësitë diplomatike, votimi të mundësohet edhe në 10 qendra tjera votimi.
Periskopi me burime po raporton se vendimi është marrë këtë pasdite të dielën.
Sipas ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, votimi jashtë Kosovës duhet të organizohet në përfaqësi të Republikës së Kosovës.
Këto qendra votimi pritej të merreshin me qira nga Ministria e Jashtme e Kosovës, duke shënuar një moment të paprecedentë në organizimin e votimit jashtë Kosovës. Shumica prej tyre janë restorante.
Uebfaqja kryesore e PZAP ku publikohen vendimet aktualisht është jashtë funksionit dhe Gazeta Insajderi s’ka arritur ta konfirmojë një gjë të tillë.
Sipas vendimit të KQZ-së, Qendra të Votimit do të hapen edhe në hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike, sipas propozimit nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Lokacionet shtesë përfshijnë 10 Qendra të Votimit (Gjermani 5; Zvicër 3, Mbretëri e Bashkuar 1 dhe ShBA 1) me gjithsej 43 vendvotime dhe me numër maksimal të votuesve që mund të regjistrohen për të votuar 40,850 votues.