Këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, raportohet se ka siguruar një vlerë prej 20 milionë funtesh nëpërmjet dy kompanive të saja.
25-vjeçarja ka arritur suksese të shumta në dy vjetët e fundit, ndërkaq një hov më të madh pati me publikimin e albumit “Future Nostalgia”.
Albumi i Duas fitoi çmimin “Grammy” për “Pop Vocal Album”, ndërkaq është nominuar edhe për shpërblimet “Brit Awards”. Sipas “Companies House”, kompania “Dua Lipa Limited” ka asete në vlerë prej 18 milionë e 576 mijë e 940 funtesh për fundin e dhjetorit 2019.
Kjo është një ngritje e madhe nga 11 milionë e 816 mijë e 218 funtesh nga viti paraprak. Në vlerën totale janë përfshirë edhe investimet prej 8 milionë e 340 mijë e 904 funtesh. Ndërkaq llogaritë për “Dua Lipa Live LLP” kanë siguruar gati 2 milionë funte, raporton tabloidi britanik “The Sun”.
Albumi i Dua Lipas, “Future Nostalgia”, u publikua në marsin e vitit 2020 pasi një javë më herët rrodhi “online”.
Që prej publikimit zyrtar albumi është nominuar për gjashtë çmime “Grammy”, ka fituar një të tillë dhe në listë ka këngë hite si: “Levitating”, “Physical dhe “Don’t Start Now”.
Duke folur për publikimin e një albumi në pikun e një pandemie, Dua ka pranuar se ishte goxha e frikësuar për shkak të paqartësive që krijoi izolimi nga koronavirusi.
“E publikova sapo nisi izolimi në Britani dhe kishte shumë vuajtje. Qe një kohë konfuze. Gjëja që më shtyu ta publikoja në atë kohë ishte sepse e incizova si një formë të ikjes, nga çdo presion dhe nga fjalët e njerëzve”, ka thënë Dua Lipa.
Këngëtarja me prejardhje nga Kosova është nominuar për “Artisten më të mirë”, “Mastercard Album” dhe “Këngën më të mirë” në “Brit Awards”.
Ajo pritet të ngjitet në skenë më 11 maj në ceremoninë që do të mbahet në “O2 Arena” të Londrës.
“Jam shumë e lumtur që do të kthehem për të performuar në ‘Brit Awards’. Do të jetë i veçantë kthimi në skenën britanike”, ka thënë Dua Lipa.