Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka paguar katër mijë euro për transmetimin direkt të ndeshjes mes Tyson Furyt dhe Dillian White, ndërsa tenderin për këtë transmetim e ka fituar operatori ekonomik nga Shqipëria ‘Smart Solutions’, transmeton Gazeta Metro.
Me fillim nga ora 23:00 pritet të filloj dueli ‘i zjarrtë’ ndërmjet Furyt dhe White në stadiumin kombëtar të Anglisë ‘Wembley’, ku janë të pranishëm rreth 94.000 mijë tifozë.
Në njoftimin që është bërë publik procedura e tenderimit ka qenë e negociuar dhe pa publikim të njoftimit për kontratë, ndërsa është bërë publike më datën 21 prill dhe është nënshkruar dje.
Në dosjen e tenderit thuhet se RTK për shkak të interesimit të madh të qytetarëve për këtë duel e kanë konsideruar të arsyeshme që të marrin të drejtat eksluzive të këtij dueli.
“Bazuar në interesimin e madh të audiencës së RTK-së për boksin në përgjithësi, e për këtë meç në veçanti, atëherë si palë kërkuese (Programi i Sportit në RTK-TV), ka konsideruar me interes të veçantë, marrjen e të drejtave televizive, për çka edhe e ka përcjellë kërkesën te strukturat menaxhuese të RTK-së, është miratuar oferta sipas vendimit te bashkangjitur”, thuhet tutje në dosjen e tenderit.
Ndërsa kujtojmë se RTK më herët kishte paguar edhe 35 mijë euro për transmetimin e dy ndeshjeve futbollistike të Kombëtares së Kosovës kundër Burkina Fasos dhe Zvicrës.