E ardhmja e Ardon Jasharit vazhdon të mbetet ende e paqartë nëse do të qëndrojë te Luzerni apo do të largohet.
Mesfushori shqiptar ka shkëlqyer në vitin 2022 dhe mori pjesë në Kupën e Botës me Përfaqësuesen e Zvicrës.
20-vjeçari ka zhvilluar 17 ndeshje këtë edicion me Luzernin ku ka asistuar në katër gola, dhe falë kësaj forme të mirë ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave të mëdha evropiane.
Te Luzerni vazhdojnë të insistojnë për ta mbajtur shqiptarin deri në verë, edhe pse interesimi nga klubet e njohura evropiane është shumë i madh.
Mediat në Zvicër dhe Gjermani kanë raportuar se RB Leipzig është duke udhëhequr garën për t’i fituar shërbimet e Jasharit.
Skuadra gjermane është e gatshme ta blej reprezentuesin zviceran në janar dhe ta lë atë në huazim deri në fund të sezonit te Luzerni.
Hoffenheim, Eintracht Frankfurt dhe Wolfsburg janë ekipet tjera gjermane që e duan mesfushorin e talentuar.
Ndërkohë interesim për shqiptarin nga Kumanova kanë shprehur edhe Napoli, Arsenal, Leicester City, Leeds United, Middlesbrough, Celtic, Jax, Feyenoord e Real Sociedad.
Luzerni po synon që nga shitja e shqiptarit të fitojë mbi shtatë milionë euro.