Pasojat e tërmetit të rëndë në Turqi janë ndjerë edhe në sport në këtë vend. Shumë sportistë kanë humbur jetën si pasojë e këtij tërmeti dhe aktivitetet në vend janë ndalur që nga 7 shkurti. Mes viktimave ka pasur edhe pjesëtarë të skuadrave të futbollit apo familjarë të tyre dhe kjo ka shtyrë klubet e Gaziantep dhe Hatajaspor që të kërkojnë zyrtarisht tërheqjen nga kampionati për këtë edicion.
Kërkesa është miratuar dhe dy ekipet nuk do të bien nga kategoria, ndonëse janë larguar nga gara. Por për t’u ardhur në ndihmë atyre, Federata ka lejuar që të gjithë futbollistët që ata kanë, mund të huazohen në skuadra të tjera që të vazhdojnë të luajnë deri në mbyllje të këtij edicioni.
Një nga lojtarët e prekur nga ky vendim është edhe lojtari i Kosovës, Valmir Veliu. Ky i fundit ka qenë pjesë e Gaziantep në pjesën e parë të sezonit, teksa kishte luajtur 15 ndeshje duke shënuar 1 gol e dhënë 1 asist në Superligë.
Për të mos qëndruar pa aktivitet, lojtari ka gjetur shpejt akordin me një ekip që njeh mirë lojtarët shqiptarë, Istanbulspor, i cili e ka huazuar deri në mbyllje të këtij edicioni. Atje ai do të luajë përkrah Eduart Rrocës, Sindrit Gurit, Jetmir Topallit, Valon Et’hemit dhe Florian Loshajt.