KMDLNj: Rritja e çmimit të rrymës – veprim kriminal, bord i politizuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    KMDLNj: Rritja e çmimit të rrymës – veprim kriminal, bord i politizuar

    Insajderi
    11 April 2025 - 20:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    ZRRE në Kosovë zyrtarisht, ka treguar sot se është marrë vendimi për shtrenjtimin e tarifave të energjisë elektrike.

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ku i quan zyrtarët e ZRrE-së “kusarë” dhe “strukturë të organizuar kriminale”, duke i akuzuar për mashtrim, varfërim të qytetarëve dhe shkelje të të drejtave ekonomike e sociale të popullit.

    “Përkundër kundërshtimit plebishitar të qytetarëve kundër shtrenjtimit të energjisë, kusarët e ZRrE-së sot morën vendim që faturat të jenë 16% më të larta. Kjo është një goditje direkte ndaj qytetarëve nga një qeveri në detyrë dhe një bord i politizuar”, thuhet në reagim.

    KMDLNj propozon organizimin e protestave të përditshme në të gjitha qytetet e Kosovës dhe kërkon shkarkimin dhe hetimin penal të ZRrE-së dhe Ministrisë përkatëse.

    Po ashtu, kërkohet kompensim për paratë e mbledhura padrejtësisht gjatë 15 viteve të fundit dhe largimi i diskriminimit tarifor, përfshirë edhe taksën fikse prej 2 eurosh për mbi 500 mijë njëhësorë.

    “Qytetarët e Kosovës nuk duhet ta përjashtojnë as grevën e urisë në mbrojtje të mbijetesës së tyre kundër keqbërësve të cilësdo qeveri dhe instrumentit kriminal të saj – ZRrE-së”, thuhet më tej në njoftim.

    Këshilli fton të gjitha sindikatat, kategoritë sociale, veteranët e luftës, studentët dhe të gjitha shtresat e shoqërisë që të bashkohen në protesta dhe të kërkojnë rritje të pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale.

    “Qytetarët nuk duhet të lejojnë që kërkesat e tyre të drejta të shpërfillen brutalisht nga ata që paguhen me paga të papërballueshme për shumicën e popullit”, përfundon deklarata.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark